Marc Marquez nuk do të garojë në Çmimin e Madh të Katalonjës fundjavën e ardhshme, ndërsa Francesco Bagnaia do të mbetet piloti i vetëm i Ducatit në garën e gjashtë të sezonit të MotoGP.
Skuadra italiane konfirmoi se kampioni në fuqi nuk do të ketë zëvendësues pas operacionit që kreu në Madrid, ku iu nënshtrua dy ndërhyrjeve, në këmbë dhe në shpatull. Markez pësoi thyerje të kockës së pestë metatarsale në këmbën e djathtë gjatë garës sprint në Le Mans, ndërsa kishte edhe probleme me shpatullën për shkak të një vidhe të liruar nga një dëmtim i mëparshëm në Indonezi.
Për shkak të angazhimeve në Kampionatin Botëror Superbike, Nicolo Bulega nuk mund ta zëvendësojë spanjollin, edhe pse sezonin e kaluar kishte garuar në vend të tij në Portimao dhe Valencia.

Pas rrëzimit të rëndë në xhiron e fundit të sprintit në Le Mans, Marquez u detyrua të mungojë edhe në garën për Çmimin e Madh të Francës, ku fitoi Jorge Martín me Aprilia. Nga Ducati nuk kanë treguar se kur mund të rikthehet Marquez, ndërsa mundësia e parë mbetet Çmimi i Madh i Hungarisë në fillim të qershorit.



