“Money talks”, (Paraja flet) – dhe këtë po e dëshmojnë gjithnjë e më shumë turistët që po zgjedhin destinacione me kosto të përballueshme, pa hequr dorë nga cilësia e pushimeve, shkruan Sam Sears në një artikull të botuar në “Travel off Path”.
Për vite me radhë, shumë turistë kanë ndjekur të njëjtat destinacione klasike verore si — ishujt grekë, Rivierën Franceze apo brigjet e njohura të Spanjës.
Por këtë verë, sipas ekspertëve të udhëtimeve, vëmendja po zhvendoset drejt destinacioneve që ofrojnë eksperienca të jashtëzakonshme me çmime shumë më të favorshme.
Në këtë listë, Shqipëria renditet ndër tre destinacionet më të lira bregdetare në Evropë për pushime në 2026, së bashku me Letoninë dhe Malin e Zi, sipas “Travel Off Path”.
Shqipëria: Destinacioni turistik më ekonomik në Mesdhe
Ndërsa Greqia vazhdon të mbetet një prej destinacioneve më të preferuara në Mesdhe, Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si një alternativë autentike, moderne dhe shumë më ekonomike.
Ky vend, prej vitesh po ngjitet në hartën turistike ndërkombëtare, por ende nuk është prekur nga çmimet e larta – që karakterizojnë destinacionet e mbipopulluara turistike të rajonit.
Pikërisht ky kombinim mes bukurisë natyrore, mikpritjes dhe kostove të ulëta – po e bën Shqipërinë një prej destinacioneve surprizë, më kryesore turistike të Evropës.
Nga plazhet e kristalta të Ksamilit — të cilat shpesh cilësohen si “Maldivet e Mesdheut” — te brigjet e qeta dhe autentike të Himarës apo gjiret mahnitëse me ujëra turkez të Dhërmiut, Shqipëria ofron një vijë bregdetare spektakolare dhe peizazhe që konsiderohen ndër më të bukurat dhe më të paprekurat në Evropë.
Gjithashtu, kryeqyteti – Tirana – cilësohet si një destinacion shumë i vlerësuar, veçanërisht nga adhuruesit e gastronomisë.
Tirana përshkruhet si një “Athinë në miniaturë”, por pa turmat e mëdha turistike, duke ofruar një atmosferë moderne, jetë nate dinamike dhe kuzhinë tradicionale e ndërkombëtare me çmime të arsyeshme.
Sipas ekspertëve, kostot mesatare në Shqipëri mbeten shumë konkurruese krahasuar me pjesën më të madhe të Mesdheut.
Një dhomë në hotel me katër yje kushton 70 – 129 dollarë nata.
Darka për dy persona në restorant kushton 29 – 47 dollarë.
Bileta e transportit publik kushton 1,17 dollarë
Hyrja në muze fillon nga 5 – 11 dollarë.
Një tjetër element që po tërheq turistët është edhe siguria.
Turistët e kanë vlerësuar Shqipërinë me 84 nga 100 pikë për nivelin e sigurisë, duke e renditur jo vetëm si destinacionin më ekonomik, por edhe si më të sigurtin ndër tre vendet e përfshira në listë.
Me Rivierën spektakolare, qytetet plot jetë, trashëgiminë e pasur kulturore dhe çmimet e përballueshme, Shqipëria po konfirmohet si një prej destinacioneve më tërheqëse turistike të Evropës për verën 2026./ATSH/



