Rritje e numrit të vizitorëve në Kosovë
R

Rritje e numrit të vizitorëve në Kosovë

Në prill 2026, hotelet në Kosovë kanë regjistruar 67 mijë e 93 vizitorë, prej tyre 40 mijë e 60 vizitorë të huaj dhe 27 mijë e 34 vendorë. Numri më i madh i turistëve ishin nga Shqipëria me 8 mijë e 258, pasuar nga Gjermania me 4 mijë e 724.

Sektori i hotelerisë në Kosovë ka shënuar rritje gjatë muajit prill 2026, me mijëra vizitorë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se interesimi për të vizituar Kosovën ka ardhur kryesisht nga rajoni dhe diaspora, ndërsa rritje të ndjeshme janë regjistruar edhe në net-qëndrime, transmeton GazetaExpress, përcjell AutoPortali.

Sipas statistikave, në prill 2026 numri i përgjithshëm i vizitorëve në hotele ishte 67 mijë e 93. Prej tyre, 27 mijë e 34 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 40 mijë e 60 vizitorë të jashtëm.

Krahasuar me prillin e vitit 2025, kur numri i përgjithshëm i vizitorëve ishte 54 mijë e 812, këtë vit pati rritje prej 22.4 për qind.

Edhe net-qëndrimet kanë shënuar rritje. Në total u regjistruan 149 mijë e 753 net-qëndrime, ku 75 mijë e 143 ose 50.1 për qind ishin nga vizitorët e huaj, ndërsa 74 mijë e 610 nga vizitorët vendorë.

Sa i përket vizitorëve të jashtëm, rritja ishte 23.5 për qind krahasuar me prillin e vitit 2025. Në total, Kosova u vizitua nga 40 mijë e 60 turistë të huaj.

Numrin më të madh të vizitorëve e kishin turistët nga Shqipëria me 8 mijë e 258 vizitorë, pasuar nga Gjermania me 4 mijë e 724, Zvicra me 4 mijë e 33 dhe Turqia me 3 mijë e 531 vizitorë.

Rritjen më të madhe e shënoi Zvicra, ku numri i vizitorëve u rrit për 33.5 për qind, ndërsa Gjermania pati rritje prej 28.2 për qind. Nga Shqipëria rritja ishte 14.1 për qind, ndërsa nga Turqia 15.2 për qind.

Edhe net-qëndrimet e turistëve të huaj kanë shënuar rritje. Vizitorët nga Zvicra realizuan 7 mijë e 773 net-qëndrime ose 56.4 për qind më shumë se një vit më parë. Turistët nga Gjermania regjistruan 9 mijë e 349 net-qëndrime me rritje prej 20.6 për qind, ndërsa ata nga Shqipëria 15 mijë e 438 net-qëndrime.

Ndërkohë, turistët nga Turqia ishin të vetmit që shënuan rënie të net-qëndrimeve, me minus 10.7 për qind krahasuar me prillin e vitit 2025.

TË FUNDIT