Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, Lewis Hamilton, ka bërë thirrje që FIA dhe Formula 1 të ndërmarrin masa për ta bërë motorsportin më të përballueshëm financiarisht për të rinjtë.
Piloti i Ferrarit kritikoi kostot gjithnjë në rritje të kartingut, duke i cilësuar ato si “absurde”. Sipas tij, sot disa familje shpenzojnë mbi një milion dollarë në vit për një fëmijë 8-vjeçar që garon në karting, gjë që po ua mbyll dyert talenteve nga familjet me të ardhura mesatare ose të ulëta.
Hamilton tha se gjithnjë e më shumë po krijohen mundësi për fëmijët e familjeve të pasura, ndërsa talenti po kalon në plan të dytë. Ai kërkoi ndryshime konkrete nga FIA dhe Formula 1 për të ulur kostot e hyrjes në sport.
Edhe kampioni katër herë i botës, Max Verstappen, u pajtua me këtë shqetësim, duke theksuar se simulatorët modernë mund të ofrojnë një rrugë më të lirë për zhvillimin e pilotëve të rinj.

Ndërkohë, Esteban Ocon deklaroi se, me kostot aktuale, ai nuk do të kishte mundur të ndërtonte karrierën e tij nëse do të niste sot.
FIA ka nisur tashmë një plan trevjeçar global për kartingun, me synimin për të ulur kostot dhe për t’u krijuar më shumë mundësi talenteve të rinj në mbarë botën.



