Pas tri garave në disiplinën malore (Grashtica, Kulla e Kruja), fundjava e radhës është e destinuar për Drag Race, e dyta për këtë vit.
Më 4 e 5 korrik, në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë, të pasionuarit pas shpejtësisë do të sfidohen edhe njëherë me synimin për rezultate sa më të mira.
Tashmë për pjesëmarrje kanë aplikuar disa nga garuesit e dëshmuar në këtë disiplinë.
Garues nga Kosova, shumë të tjerë nga diaspora jonë, pastaj nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, por edhe nga Greqia e vende tjera të rajonit do t’i japin “flakë” pistës në Sllatinë, ndërsa interesimi pritet të jetë i madh edhe nga dashamirët e kësaj disipline.
Përgatitjet nga organizatori, Eurogoma Racing Team në bashkëpunim me FASK-un dhe institucionet tjera janë drejt fundit, prandaj është e sigurt që edhe kjo fundjavë do të jetë festë automobilistike.



