Gazetari i njohur tregon frikën e Evropës nga prodhuesit kinezë
G

Gazetari i njohur tregon frikën e Evropës nga prodhuesit kinezë

Makinat kineze po hyjnë me shpejtësi në tregjet evropiane. Kjo ofensivë ka tërhequr vëmendjen edhe të gazetarit të njohur të automobilizmit Jeremy Clarkson, i cili testoi modelin Jaecoo 7 dhe tha se markat kineze nuk janë më një fenomen ekzotik, por një kërcënim serioz për prodhuesit tradicionalë evropianë.

Clarkson pranon se dinamika e drejtimit nuk është mbresëlënëse dhe se disa materiale në kabinë japin përshtypjen e kursimit. Megjithatë, ai thekson se shumica e shoferëve kërkojnë diçka tjetër.

Nuk është për gara, por ofron atë që kërkojnë blerësit

“Blerësit e SUV-ve familjare nuk kërkojnë domosdoshmërisht kënaqësi sportive në drejtim, por siguri, kosto të ulëta dhe besueshmëri – dhe në këtë drejtim, ky model i përmbush pritshmëritë”, shkruan Clarkson.

Sipas tij, ndërsa prodhuesit evropianë janë përpjekur prej vitesh t’i bindin klientët se u duhen lëkurë luksoze, materiale premium dhe shumë fuqi, kinezët japin një përgjigje të thjeshtë: Po sikur për blerësin gjëja më e rëndësishme të jetë çmimi i përballueshëm?

Pesë yje sigurie dhe shumë pajisje

Clarkson thotë se shumë njerëz duan thjesht një makinë praktike, të sigurt, ekonomike dhe të besueshme, pa u interesuar shumë se ku është prodhuar apo sa shpejt ecën.

Versioni plug-in hibrid i Jaecoo 7 ka marrë 5 yje në testet Euro NCAP, ndërsa makina ofron shumë pajisje dhe sisteme moderne të asistencës së shoferit.

Çmimi është një nga avantazhet kryesore: Jaecoo 7 SHS-H Urban nis nga rreth 28.000 euro, ndërsa versioni plug-in hibrid Jaecoo 7 SHS PHEV nga rreth 35.000 euro.

Për Clarkson, pikërisht kjo është sfida më e madhe për prodhuesit evropianë: makinat kineze mund të mos jenë më të mirat për kënaqësinë në drejtim, por ofrojnë shumë makinë për paratë që paguan dhe kjo është ajo që po i shqetëson më shumë prodhuesit evropianë.

 

TË FUNDIT