Pas suksesit historik në Çmimin e Madh të Meksikës, prindërit e Kimi Antonellit kanë zbuluar detaje interesante nga jeta private e talentit të ri të Formula 1.
Edhe pse fiton miliona euro dhe po thyen rekorde, financat e tij vazhdojnë të menaxhohen nga prindërit.
Prindërit vazhdojnë t’ia kontrollojnë paratë!
“Kimi nuk është bërë aspak mendjemadh dhe nuk është i dhënë pas parave apo famës. Imagjinoni, ai ende merr para xhepi”, ka treguar babai i tij, Marco Antonelli, për gazetën italiane “La Repubblica”.
Nëna e tij, Veronica, ka zbuluar se Kimi ka një shumë të caktuar parash për çdo muaj dhe duhet t’i përmbahet këtij kufiri.
“Edhe kur shkon me shokët në pushime, e di saktësisht se sa mund të shpenzojë. I vetmi pasion i tij në jetë janë veturat”, ka treguar ajo.
Suksesi i Antonellit ka emocionuar edhe legjendën e motociklizmit, Valentino Rossi.
Nëntë herë kampioni i botës, në një intervistë për Sky Italia, e krahasoi talentin e ri me veten në moshë të re.
“Më kujton mua kur isha 20 vjeç. Suksesi i tij më ka emocionuar jashtëzakonisht shumë. Më ka impresionuar agresiviteti që tregon kur e ul vizoren e helmetës dhe futet në garë, krejt ndryshe nga karakteri i tij i qetë jashtë pistës.

Është shumë i pjekur, profesionist dhe modest. Besoj se do të bëhet një hero i vërtetë kombëtar”, deklaroi Rossi.
Kimi Antonelli mund të fitojë miliona dhe të shkruajë histori në Formula 1, por prindërit kujdesen që fama dhe paratë të mos ia ndryshojnë karakterin.



