Lajmi që miliona shoferë në Evropë e kanë pritur prej vitesh ka marrë konfirmimin e parë zyrtar, Fiat Punto mund të rikthehet në treg.
Arnaud Belloni, drejtues i markave Fiat, Abarth dhe Lancia në grupin Stellantis, deklaroi në Panairin e Automobilave në Paris se Fiat nuk mund të mbetet pa një model kaq të rëndësishëm në historinë e tij.
Sipas tij, mungesa e Puntos i ka krijuar hapësirë konkurrencës, veçanërisht Renault Clio-s, për të dominuar segmentin e veturave të vogla në Evropë.
Planet parashikojnë një model kompakt që do të pozicionohej pranë Fiat Grande Panda-s dhe nën Fiat 600.
Ideja është që Punto i ri të ketë një siluetë më të ulët dhe aerodinamike, të përshtatshme jo vetëm për qytet, por edhe për udhëtime më të gjata.
Punto për herë të parë u prezantua në vitin 1993 dhe në tri gjenerata u shit në më shumë se nëntë milionë ekzemplarë. Prodhimi përfundoi më 18 gusht 2018, ndërsa pasardhësi i tij ende nuk është prezantuar.
)
Si mund të duket Punto i gjeneratës së re?
Të frymëzuar nga deklaratat e drejtuesve të Fiatit, dizajnerët kanë krijuar renderime me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Propozimet paraqesin një hatchback me pesë dyer, dizajn modern, detaje retro, fenerë LED me motive pikselësh dhe maskë të madhe të përparme. Në disa versione shfaqen edhe karroceria dyngjyrëshe, çatia e zezë dhe rrotat aerodinamike.
Një prej koncepteve më interesante është ai i dizajnerit Sezer Design, i cili ka prezantuar Fiat Punto Next-Gen Concept me ngjyrë të verdhë metalike, çati të zezë dhe drita LED me formë moderne.
)
Megjithatë, duhet theksuar se këto janë vetëm propozime dizajni dhe jo fotografi apo pamje zyrtare të modelit të ardhshëm.
Tashmë mbetet të shihet nëse Fiat do ta marrë vendimin përfundimtar për rikthimin e një prej modeleve më të dashura në historinë e automobilizmit italian.



