Tensionet te Ferrari kanë arritur kulmin pas përplasjes së radhës mes Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton në Çmimin e Madh të Las Vegasit. Ky ishte incidenti i dytë në tri garat e fundit, pas atij në Meksikë.
Drejtuesi i ekipit, Fred Vasseur, reagoi ashpër, duke deklaruar se Leclerc kishte marrë udhëzime të qarta për të mos sulmuar Hamiltonin dhe se veprimi i tij ishte i papranueshëm.
Gjatë pjesës së dytë të sezonit janë regjistruar pesë incidente mes dy pilotëve, duke shtuar shqetësimet për interesat e ekipit. Për këtë arsye, Ferrari po shqyrton mundësinë që t’ua ndalojë garimin kundër njëri-tjetrit në dy garat e fundit, në Katar dhe Abu Dhabi.
Ndërkohë, tensionet lidhen edhe me betejën për ndikim brenda ekipit për sezonin 2027. Hamilton kërkon të ndikojë në zhvillimin e Ferrarit, ndërsa Leclerc vazhdon të mbrojë pozicionin e tij si një nga figurat kryesore të Skuderisë.

Problemet mund të bëhen edhe më të mëdha në aspektin financiar. Marrëveshja e sponsorimit me kompaninë HP, me vlerë 75 milionë euro në vit, mund të rishikohet në vitin 2027, pasi drejtori i ri global i marketingut pritet të shqyrtojë partneritetin me Ferrarin, i cili nisi në vitin 2024.



