Vitet e fundit në Shqipëri janë rritur investimet në sektorin e mbrojtjes, ku për herë të parë këtë vit janë akorduar fonde që arrijnë nivelin 2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Plani Afatgjatë i Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2024-2033 i cili është në përputhje me programin politik të Këshillit të Ministrave, synon investimin në disa drejtime siç janë në rinovimin e bazave ushtarake, ndërtimin e bazave të reja, investime në teknologji dhe sidomos investime të forca njerëzore.
Thelbësore në këtë plan është zhvillimi i kapaciteteve të nevojshme të FARSH në përmbushje të misionit të tyre kushtetues, detyrimeve në kuadër të Aleancës dhe marrjes pjesë në operacione të cilat zhvillohen në kuadër të BE, OKB.
Forcat e Armatosura Shqiptare kanë në mision të tyre të sigurojnë pavarësinë, mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe rendin kushtetues të vendit në bashkëveprim me forcat aleate, mbrojtjen dhe mbështetjen e popullsisë e të autoriteteve civile në kohë paqeje, krize e lufte, të kontribuojnë për mbrojtjen kolektive, si dhe paqen e sigurinë në rajon e më gjerë, shkruan Top Chanel.
Në listën e investimeve është edhe ndërtimi i rrjetit kompjuterik të klasifikuar “NATO Sekret” në Forcat e Armatosura dhe ndërtimi i Kampusit të ri Universitar. Investime parashikohen edhe për krijimin e Bazës Tokësore të Mbrojtjes Ajrore si dhe përmirësimi i Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Ajrore të vendit, ku veç një radari fiks, do të investohen edhe në 2 radarë të lëvizshëm. Gjithashtu investimet parashikojnë modernizimin e Bazës Ajrore Farkë, ku përveç rinovimit që ka nisur, do të kompletohet me helikopterë Blackhawk .



