Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, e ka vizituar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Hasani tha se Thaçin e gjeti në gjendje të mirë shpirtërore, optimist dhe me besim të palëkundur se e drejta do të triumfojë.
“Ishte mbresëlënëse kurajo e tij, ekuilibri, qetësia dhe vizioni që ka për të ardhmen. I vetëdijshëm se proceset gjyqësore janë një maratonë me përpjeta e tatëpjeta, garën e fiton ai që është i përgatitur psikologjikisht”.
Më tej, Hasani tha se Thaçin e ka informuar edhe për zhvillimet e fundit në vend por edhe në rajon si dhe për përpjekjet për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin.
“Diplomacia shqiptare ashtu si edhe më parë do të ngul këmbë në zbatimin e standardeve për një proces të hapur dhe transparent në respektim të plotë të të drejtave të njeriut bazuar në konventat ndërkombëtare”, tha ai.



