Në fund të muajit qershor qytetarët e Prishtinës do të mund t’i shfrytëzojnë 100 biçikletat në kryeqytet me çmime simbolike.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.
Sipas tij, projekti i biçikletave është në ekzekutim e sipër.
“Biçikletat kanë arritur dhe krejt pajisjet përcjellëse janë në Prishtinë. Tash ka mbet vetëm çështja tek aspektet softuerike, pra aspekti i pagesës dhe i softuerit, i digjitalizimit sepse do të jetë proces digjital krejt. Dhe sipas informatave të fundit që i kam prej menaxherit të kontratës, parashihet që gjatë muajit qershor, eventualisht deri kah fundi i muajit qershor, biçikletat i kemi të gatshme në rrugët e Prishtinës”, ka thënë Zogaj.
Tutje, ai tregoi se vendet ku do të jenë stacionet e biçikletave i kanë caktuar qysh në fillim të projektit.



