Andrea Kimi Antonelli arriti fitoren e tij të parë në Formula 1 në Çmimin e Madh të Kinës dhe pas dy garash renditet i dyti në kampionat, pas shokut të skuadrës te Mercedes, George Russell. Forma e fortë e Mercedesit ka bërë që shumëkush ta shohë ekipin si favorit për titullin.
Megjithatë, ish-shefi i Haas, Gunther Steiner, beson se do të jetë shumë e vështirë për Antonellin të mundë Russell, kryesisht për shkak të përvojës më të madhe të britanikut. Ai theksoi se fitorja i jep shumë vetëbesim italianit, por nuk e sheh ende si pretendent për titull këtë sezon.
“Është vetëm 19 vjeç dhe në fillim të karrierës. Nuk duhet të jetë nën presion. Ka kohë dhe mundësi të tjera për të fituar titullin në të ardhmen”, u shpreh Steiner.
Të njëjtin mendim ndan edhe komentatori i Sky Sports F1, David Croft, i cili thekson se titulli kërkon qëndrueshmëri gjatë gjithë sezonit. Sipas tij, Antonelli është shumë i shpejtë, por ende i prirur për gabime, ndaj nuk pritet të luftojë për titull në 2026.
Ai shtoi se Russell është në formë kampioni dhe një rival shumë i fortë, ndërsa për Antonellin kjo mbetet një eksperiencë e vlefshme për të ardhmen.



