A do të rikthehet Cristiano Ronaldo në futbollin evropian?
A

A do të rikthehet Cristiano Ronaldo në futbollin evropian?

Cristiano Ronaldo ka rihapur diskutimet për një rikthim të mundshëm në futbollin evropian, teksa vazhdon ndjekjen e objektivit madhor prej 1.000 golash në karrierë.

Ylli portugez, i cili aktualisht aktivizohet me Al-Nassr, ka lënë të kuptohet se e ardhmja e tij nuk është e lidhur domosdoshmërisht me Lindjen e Mesme.

Në moshën 40-vjeçare, Ronaldo numëron 956 gola në karrierë, pas dopietës së realizuar së fundmi me fanellën e Al-Nassr.

Pavarësisht moshës, ai vijon të shfaqë formë të lartë dhe vendosmëri për të luajtur në nivele konkurruese, duke theksuar se pasioni për futbollin mbetet i pandryshuar.

“Nuk ka rëndësi se ku luaj, qoftë në Lindjen e Mesme apo në Evropë. Dua të vazhdoj të luaj futboll dhe të jap maksimumin,” është shprehur Ronaldo, deklaratë që është interpretuar si sinjal i qartë për një rikthim të mundshëm në kontinentin evropian.

Kontrata e tij me Al-Nassr, e vlerësuar rreth 492 milionë funte, është e vlefshme deri në vitin 2026.

Ndërkohë, vetë lojtari ka konfirmuar se Kupa e Botës e ardhshme do të jetë turneu i tij i fundit me Kombëtaren e Portugalisë, duke e bërë edhe më të paqartë fazën përfundimtare të karrierës së tij.

Ronaldo ka ndërtuar një trashëgimi të jashtëzakonshme në futbollin evropian, me dy periudha te Manchester United, nëntë sezone te Real Madrid, si dhe aventura te Juventusi dhe Sporting Lisbona.

Një rikthim eventual në Evropë do të përbënte një lajm të bujshëm, sidomos duke marrë parasysh moshën dhe faktin se ndodhet prej disa sezonesh larg futbollit evropian.

Së fundmi, gjatë ceremonisë Globe Soccer Awards në Dubai, ku u shpall “Lojtari më i Mirë i Lindjes së Mesme”, Ronaldo la sërish të hapur derën për një kapitull të ri në karrierë, duke mos përjashtuar asnjë skenar për të ardhmen./AutoPortali

TË FUNDIT