Pronarët e Tesla Cybertruck nuk kanë nevojë për shumë ndihmë që të bien në sy. Në fakt, shumë prej tyre do të preferonin të mos tërhiqnin vëmendje, duke pasur parasysh kritikat që u janë bërë këtyre kamionëve.
Por ata që nuk e kanë problem vëmendjen madje e kërkojnë atë ndoshta do të tundohen nga rrotat e reja 24-inç prej ari të kompanisë Unplugged Performance, shkruan AutoBlog, transmeton AutoPortali.

Rrotat e reja “Cybrspoke” prej 7,145 dollarësh nga modifikuesi kalifornian i Tesla-s kanë dizajn me pesë fasha, që e bëjnë Cybertruck-un të duket edhe më shumë sesa me rrotat origjinale të fabrikës.
Lajmi i mirë është që ato nuk janë më të rënda sesa rrotat standarde me mbulesa aero. Mund të porositen edhe në version sateni apo titanium, për ata që nuk duan shumë shkëlqim.

Sigurisht, të shpenzosh mbi 7,000 dollarë për një set rrotash nuk është pak, edhe për dikë që përballon vetë Cybertruck-un. Çmimi fillestar i tij ka zbritur në pak më shumë se 60 mijë dollarë, por versioni i fuqishëm “Cyberbeast” kalon shifrën 100,000 dollarë.

Disa variante të Cybertruck-ut kualifikohen ende për kreditin tatimor federal prej 7,500 dollarësh për automjetet elektrike, por kjo po përfundon së shpejti duke e lënë Tesla-n pa një avantazh të madh krahasues.

Fillimisht, Cybertruck-u vinte me mbulesa rrotash të personalizuara, por ato u tërhoqën nga tregu kur Tesla zbuloi se krijonin vrima në anësoret e gomave gjatë rrotullimit. Kompania më vonë lëshoi një version të përmirësuar, por kjo nuk i ka ndalur pronarët të gjejnë mënyra të reja për të “lënduar sytë” e të tjerëve.

Tesla prezantoi edhe rrota për modelet e tjera të saj, por ato kanë stil më të qetë dhe nuk “shpërthejnë” vizualisht si ato të Cybertruck-ut. /AutoPortali



