Aeroporti i njohur i Singaporit, Changi, i cili krenohet me ujëvarën më të lartë të brendshme në botë dhe një hapësirë të gjelbër me mbi 600 mijë bimë, këtë vit nuk arriti të mbajë vendin e parë.

Në renditjen vjetore të revistës prestigjioze Travel + Leisure, për vitin 2025, Changi u rendit i dyti, duke ia lënë fronin Aeroportit të Stambollit.
Sipas EconomicTimes, aeroporti i Stambollit kryeson listën me një pikëzim mbresëlënës prej 98.57, një ngritje nga vlerësimi 95.79 që kishte vitin e kaluar. Kjo rritje i atribuohet lidhjes globale gjithnjë në zgjerim, infrastrukturës moderne dhe përmirësimit të vazhdueshëm të përvojës së udhëtarëve.
![]()
Lista e 10 aeroporteve më të mira në botë është përpiluar përmes një ankete me lexues të shpeshtë të Travel + Leisure, të cilët kanë ndarë përvojat e tyre nga udhëtimet.
Kriteret për vlerësim kanë përfshirë jo vetëm efikasitetin në tranzit, por edhe përjetimet që lënë mbresa nga gastronomia, argëtimi e deri te ambientet e veçanta. Aeroportet që ofrojnë më shumë sesa vetëm udhëtim, janë ato që bëjnë diferencën.
Aeroportet e Lindjes së Mesme dhe Azisë dominojnë listën, duke zënë katër nga pesë pozitat e para. Këto qendra moderne dallohen për dizajnin intuitiv, shërbimet e avancuara dhe orientimin e lehtë për pasagjerët.
Aeroporti i Stambollit, i cili nisi operimin në tetor të vitit 2018, ka ndërtuar me sukses një reputacion të fuqishëm. Një udhëtar e përshkroi përvojën atje si “një dizajn i ndriçuar dhe i gjerë”.

Mumbai hyn në Top 10
Aeroporti Ndërkombëtar Chhatrapati Shivaji Maharaj në Mumbai ka siguruar vendin e nëntë në listë, duke lënë pas Aeroportin Ndërkombëtar Incheon të Koresë së Jugut.
Operuar nga kompania Mumbai International Airport Ltd (MIAL), nën menaxhimin e Adani Airport Holdings Ltd (AAHL), ky aeroport është bërë së fundmi i pari në Indi dhe i treti në botë që arrin Nivelin 5 të Akreditimit për Përvojën e Klientit, vlerësimi më i lartë nga Airports Council International.
Top 10 aeroportet më të mira në botë për vitin 2025, sipas Travel + Leisure:
- Aeroporti i Stambollit – Pikë: 98.57
- Aeroporti Changi, Singapor – Pikë: 95.20
- Aeroporti Ndërkombëtar Hamad, Doha – Pikë: 92.34
- Aeroporti Ndërkombëtar Zayed, Abu Dhabi – Pikë: 89.48
- Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait – Pikë: 88.38
- Aeroporti Ndërkombëtar i Hong Kongut – Pikë: 86.22
- Aeroporti Helsinki-Vantaa, Finlandë – Pikë: 86.18
- Aeroporti Haneda, Tokio – Pikë: 84.47
- Aeroporti Chhatrapati Shivaji Maharaj, Mumbai – Pikë: 84.23
- Aeroporti Ndërkombëtar Incheon, Koreja e Jugut – Pikë: 83.67



