Aeroporti britanik Southampton, është zyrtarisht aeroporti me më shumë anulime të fluturimeve. Të dhënat e reja tregojnë numrin e fluturimeve të anuluara në të gjithë aeroportet kryesore të Mbretërisë së Bashkuar gjatë vitit 2023 dhe 2024.
Një studim i ri, i kryer nga ekspertët e kompensimit për fluturime në AirAdvisor, analizoi nisjet e planifikuara nga 20 aeroportet më të ngarkuara të Britanisë. U hulumtuan aeroportet në Angli, Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut gjatë dy viteve të fundit.
Studimi zbuloi se norma mesatare e anulimeve në vitin 2024 ishte 1.46%, pak më e ulët se ajo e vitit 2023 (1.78%).
Southampton u radhitë si aeroporti me më shumë anulime, i ndjekur nga Belfast City, London City, Aberdeen dhe Glasgow. Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil (CAA), 3.57% e fluturimeve nga Southampton u anuluan në 2024.

Sipas The Sun, një fluturim konsiderohet i anuluar kur nuk realizohet, me njoftim më pak se 24 orë para ose pas kohës së planifikuar të nisjes, transmeton AutoPortali.
Ndërkohë, aeroportet kryesore të Londrës (Heathrow, Gatwick, Stansted, Luton dhe London City) patën një rënie prej 15% në anulime krahasuar me vitin e kaluar.
Në Belfast City, 3.31% e fluturimeve u anuluan (ndërsa në 2023 ishte 3.5%). Në London City, norma e anulimeve ra në 3.13% (nga 4% në 2023). Aberdeen regjistroi 2.7% anulime, ndërsa Glasgow 2.15%.

Në anën tjetër, studimi tregoi edhe 5 aeroportet me anulimet më të ulëta në 2024:
-
Bournemouth – vetëm 0.08%
-
East Midlands International – 0.39%
-
Belfast International – 0.41%
-
Luton – 0.58%
-
Bristol – 0.66%
Anton Radchenko, CEO i AirAdvisor, tha: “Industria aviatike në MB është ende në fazë shërimi pas pandemisë, por ka shenja pozitive. Normat mesatare të anulimeve po ulen, gjë që është premtuese.”
Ai vuri në dukje se disa aeroporte kanë norma anulimesh dyfish të mesatares kombëtare dhe shtoi: “Këta aeroporte dhe partnerët e tyre duhet të përmirësohen. Pasagjerët meritojnë më mirë. Fatmirësisht, legjislacioni britanik mbron pasagjerët, duke u dhënë të drejtën e kompensimit deri në 520 £ nëse fluturimi anulohet me më pak se dy javë njoftim.”
Për ata që janë prekur nga anulimet, ai këshillon përdorimin e kalkulatorit falas të kompensimit për të llogaritur sa ju takon. /AutoPortali



