Toyota po vërteton se qasja e saj unike ndaj elektrifikimit të automjeteve është duke dhënë rezultate të qëndrueshme.
Prodhuesi japonez, i cili ka zgjedhur të fokusohet kryesisht në automjetet hibride, arriti një rekord të ri në korrik 2025 me 963,796 vetura të shitura globalisht një shifër që përfshin markat Lexus, Daihatsu dhe Hino, transmeton AutoPortali.
Vetëm në korrik, Toyota tejkaloi 900 mijë njësi të shitura, duke shënuar një rekord historik për atë muaj.
Kjo rritje është nxitur kryesisht nga popullariteti i modeleve hibride, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e konsumatorëve në tregje kyçe, sidomos në Amerikën e Veriut dhe Evropë.
Tregjet kryesore
Amerika e Veriut mbetet tregu më i madh për Toyota-n, me 254,298 njësi të shitura gjatë muajit korrik.
Modelet si Tacoma dhe 4Runner kanë pasur kërkesë të lartë, ndërsa modelet hibride kanë ndihmuar në ruajtjen e pozicionit dominues të kompanisë.
Edhe në Evropë, ku shumë prodhues automjetesh po përballen me sfida të mëdha për shkak të tranzicionit drejt elektromobilitetit, Toyota ka shënuar rritje të shitjeve në baza vjetore, falë strategjisë së saj më të kujdesshme dhe të balancuar të elektrifikimit.
Elektrifikimi në rritje
Deri në fund të korrikut, Toyota ka shitur 6,058,731 vetura në total për vitin 2025, nga të cilat mbi 2.9 milionë janë automjete të elektrizuara në një formë apo tjetër përfshirë hibride, plug-in hibride (PHEV) dhe automjete plotësisht elektrike (BEV).
Megjithëse pjesa më e madhe e shitjeve elektrike janë hibride, Toyota shënoi edhe muajin më të mirë ndonjëherë për BEV-të, me 17,896 njësi të shitura globalisht gjatë korrikut.
Strategjia e Toyotas, e cila ndryshon ndjeshëm nga qasja më agresive e prodhuesve evropianë dhe amerikanë ndaj BEV-ve, po rezulton efektive për momentin, duke ofruar stabilitet në shitje dhe përshtatje me kërkesat reale të tregut.