Agroturizëm, bujtina dhe ferma, Shqipëria synon rigjallërimin e maleve shqiptare
A

Agroturizëm, bujtina dhe ferma, Shqipëria synon rigjallërimin e maleve shqiptare

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se “Paketa e Maleve”, nisma më e re zhvillimore e qeverisë për rigjallërimin e zonave malore, ka tërhequr një interes të jashtëzakonshëm që në ditët e para të hapjes.

Vetëm brenda 5 ditëve të para janë regjistruar plot 787 aplikime, një shifër që sipas kreut të qeverisë flet për potencialin e maleve shqiptare dhe dëshirën për t’u rikthyer atje ku rrënjët e shumë familjeve vazhdojnë të jetojnë, transmeton AutoPortali.

“Kjo është një hartë frymëzuese e aplikimeve për Paketën e Maleve,” shkruan Rama, duke iu referuar interesit të madh nga qytetarët, veçanërisht emigrantët që duan të ringjallin shtëpitë e të parëve dhe të investojnë në bujtina, agroturizëm, hotele malore, ferma apo njësi agropërpunimi.

Paketa përfshinë lehtësira ligjore për ndërtimin me leje, si dhe mbështetje financiare përmes kredive të buta nga Banka e Shqipërisë. Objektivi është të krijohen kushte reale për zhvillimin ekonomik të zonave kodrinore e malore, të cilat për dekada janë përballur me braktisje dhe mungesë investimesh.

Qeveria thotë se kjo nismë shënon një kthesë të rëndësishme në qasjen ndaj maleve, duke i trajtuar jo më si zona periferike të mbetura pas, por si potencial ekonomik, turistik dhe kulturor.

Aplikimi për përfitim nga “Paketa e Maleve” mbetet i hapur për të gjithë ata që duan të investojnë në mënyrë të ligjshme dhe të qëndrueshme.

Në fokus të posaçëm janë emigrantët shqiptarë, të cilët sipas Ramës, janë gjithnjë e më të gatshëm të rikthehen dhe të ndërtojnë mbi tokën e të parëve.

Kjo nismë synon t’u japë atyre mjetet dhe besimin për të hapur një kapitull të ri ekonomik dhe njerëzor në trojet që i kanë braktisur prej vitesh.

“Një bujtinë, një fermë, një hotel malor – të gjitha janë tani më të realizueshme se kurrë, me mbështetje konkrete nga shteti dhe lehtësira për të investuar ligjërisht në territor,” ka shkruar Rama, duke ftuar të gjithë të interesuarit të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e ringjalljes së maleve shqiptare./AutoPortali

TË FUNDIT