Pavarësisht frikës se inteligjenca artificiale (AI) mund të zëvendësojë punëtorët në industrinë e shitjes së makinave, Michael Wood – menaxher i përgjithshëm i Jaguar Land Rover dhe Volkswagen në Checkered Flag Auto Group, jep një perspektivë më të kthjellët dhe optimiste: AI nuk është këtu për të larguar njerëzit nga puna, por për të eliminuar pjesët monotone të saj dhe për të përmirësuar performancën e përgjithshme të autosallonit, shkruan Cbtnews.
Sipas tij, AI duhet parë si një mjet për automatizimin e detyrave të përsëritura, jo si kërcënim për punësimin, transmeton AutoPortali.
“Mendoj se AI zëvendëson detyra, jo vende pune,” tha Wood. Për shembull, përmes automatizimit të proceseve që marrin kohë dhe kanë ndikim të ulët, si përshkrimi i automjeteve apo organizimi i telefonatave, stafi mund të fokusohet në aktivitete me më shumë vlerë, si trajnimi, zhvillimi i kontakteve dhe angazhimi me klientët.
Një prej përdorimeve më konkrete që ai përmendi është krijimi i listimeve të makinave për shitje përmes AI. Duke futur numrin VIN dhe një udhëzim të thjeshtë – p.sh. një përshkrim prej 500 fjalësh në stil britanik – sistemi mund të krijojë një listim të gatshëm për publikim brenda 10–15 sekondave. “Do të ishte naive të mendonim se kjo nuk është përfitim,” shtoi ai, duke theksuar se kjo rrit ndjeshëm produktivitetin për menaxherët e shitjes dhe inventarit.
Wood po ashtu sheh mundësi të mëdha në automatizimin e qendrave të thirrjeve dhe menaxhimin e kontakteve të shitjes. Mjete si Toma, Pan AI dhe të tjera po testohen për të përmirësuar ndjeshëm efikasitetin në komunikimin me klientët në fazat e mëvonshme të interesimit për blerje. “Ekipi im bën punë të jashtëzakonshme katër ditët e para. Por pas ditës së katërt, bëhet dëshpëruese,” pranoi ai. Sipas tij, nëse detyrat nga dita e pestë deri në të gjashtëdhjetën kalojnë tek AI, stafi mund të përqendrohet aty ku është më efektiv – në kontaktin fillestar me klientët.
Ai përmendi edhe një studim të fundit, sipas të cilit punonjësit ndihen të mërzitur mesatarisht 10 orë në javë. “Imagjinoni sikur të rikthenim 25% të kohës së punonjësve, thjesht duke hequr detyrat monotone,” tha Wood, duke theksuar se AI mund të rrisë ndjeshëm angazhimin në të gjitha departamentet.
Megjithatë, ai paralajmëroi për të ashtuquajturat “halucinacione” të AI-së – situata ku sistemi jep përgjigje të gabuara me siguri të plotë. Prandaj mbikëqyrja njerëzore mbetet e domosdoshme. “AI është aq i mirë sa është trajnimi i tij,” theksoi ai, duke i inkurajuar drejtuesit që ta përqafojnë këtë mjet, por jo ta besojnë verbërisht.
I pyetur për situatën aktuale në treg, Wood tha se kompania po i jep përparësi shitjeve të makinave të përdorura, si masë për të balancuar pasiguritë që vijnë nga tarifat tregtare. “Unë nuk kontrolloj çfarë ndodh mes qeverisë amerikane dhe shteteve të tjera, por e kontrolloj strategjinë tonë për makinat e përdorura,” tha ai.
Në fund, Wood e përmbylli me një bindje të qartë: suksesi i kësaj industrie nuk qëndron në zëvendësimin e njerëzve me AI, por në fuqizimin e tyre përmes saj.



