Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në rrugën “Adem Jashari” në Malishevë, duke shkaktuar vdekjen e një gruaje dhe lëndimin e shtatë personave të tjerë.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, viktima, një grua, ka humbur jetën si pasojë e përplasjes, ndërkohë që personeli mjekësor ka konfirmuar vdekjen e saj, shkruan AutoPortali.
“Sot, rreth orës 13:35, jemi njoftuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Malishevë se shtatë (7) persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur në rrugën “Adem Jashari” në Malishevë, segmenti Malishevë–Arllat. Si pasojë e aksidentit, një grua ka humbur jetën, vdekja e së cilës është konstatuar nga personeli mjekësor. Menjëherë pas marrjes së informatës, njësitë e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili po ashtu ka dalë në vendngjarje. Aktualisht, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, në koordinim të plotë me prokurorin, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit”, njofton Policia.
Të shtatë të lënduarit janë dërguar në spital për trajtim mjekësor, por fatmirësisht, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.




