Në Kosovë, siguria në komunikacion vazhdon të jetë një sfidë serioze, veçanërisht në zonat rurale, ku përdorimi i mjeteve bujqësore, siç janë traktorët, është shumë i përhapur, shkruan AutoPortali.
Traktorët, ndonëse të domosdoshëm për punën bujqësore, shpeshherë bëhen shkak për aksidente fatale apo me pasoja të rënda, për shkak të mungesës së standardeve të sigurisë, kushteve të papërshtatshme të rrugëve dhe neglizhencës në përdorimin e tyre.
Statistikat tregojnë se numri i aksidenteve që përfshijnë traktorë është në rritje, duke ngritur shqetësime për nevojën e ndërgjegjësimit dhe ndërhyrjeve institucionale.
Vetëm brenda kësaj jave kanë ndodhur dy aksidente me fatalitet, njëri në Kaçanik e tjetri në Skenderaj.
Rastet u konfirmuan edhe nga Policia.
“ Me datë 11.06.2025 në afërsi të “Varrezave të Dëshmorëve” në Kaçanik. Në vendin e aksidentit është gjetur një person i shtrirë në tokë dhe në gjendje të rëndë shëndetësore”, njofton PK për rastin e parë në Kaçanik.
Konfirmim zyrtar AutoPortali, pati edhe për ngjarjen tjetër tragjike në Skenderaj.
“Me 12.06.2025 rreth orës 19:00 është raportuar se në fshatin Kotorr të Skenderajt, një person i moshës madhore derisa kishte qenë duke punuar në pyll është rrokollisur me traktor. Njësitë relevante kanë dalë në vendngjarje ku mjeku kujdestar ka konstatuar se personi në fjalë i moshës rreth 55 vjeçare është pa shenja jete.”, thuhet në njoftimin e e policies.
Por cilat janë shkaqet që dyshohen që qojnë tek këto aksidenteve me fatalitet, pasojat që ato lënë pas, si dhe masat që mund të ndërmerren për të parandaluar tragjeditë e radhës në fshatrat dhe rrugët e vendit tonë, tregon eksperti i komunikacionit Selman Kolgeci.
“Fermerët dhe drejtuesit e mjeteve të punës, zakonisht ekspozohen dhe lëvizin me mjetet e tyre në vende ruarale e nuk i shfrytëzojnë rrugët e urbanizuara, më shumë të frekuanetuara dhe si pasojë e kësaj shumë pak ndalen dhe kontrollohen nga ana e policisë.”, tha Kolgeci.
E kryetari i Federatës Sindikale të Bujqëve të Kosovës, Tahir Tahiri, ka thënë se bujqit në mungesë të buxhetit nuk mund t’i mirëmbajnë mjetet.
“Shumë bujq për mungesë të mjeteve financiare nuk kan mundësi me ua eliminue defektet (sidomos mekanizmin e frenimit) dhe kështu po e pësojnë deri në fatalitet.”
Kolgeci ka shtuar se: “Vlen të theksohet se edhe mjetet e punës të cilat përdoren në shumicën e rasteve nuk janë të përshtatshme me lëviz në rrugë për shkak se nuk i nënshtrohen një kontrolli teknik të paraparë me ligj për të qenë të gatshëm në rrugë”
E një fermer nga Podujeva ka thënë se si të tillë nuk kanë kushte të mira të punës, për shkak se nuk kanë mundësi buxhetore. A.E në kushte anonime foli për AutoPortalin, duke zbuluar se si e menaxhojnë këtë pjesë.
“ Jo, veç vet sa i rregulloj mjetet e punës, nuk kemi fitime aq te mëdha sa për t’i dërgu në kontroll teknik apo diçka të ngjashme.”
E sipas analistit Kolgeci një pjesë e madhe mjeteve të punës dalin në rrugë pa sinjalistikë.
“Si pasojë e kësaj kemi parë se shumë mjeteve të punës iu mungon sinjalistika edhe drita ndriçuese, sinjalizuesesi dhe elementet tjera që ndihmojnë sigurinë në rrugë.”
Edhe Tahir Tahiri thotë se: “Shumë bujq posedojnë traktorë dhe makina tjera bujqësore shumë të vjetra të cilat paraqesin rrezik të madh me pësue fatkeqësi të ndryshme sidomos në viset kodrinore malore ku mungon edhe infrastruktura adekuate rrugore.”
Analisti Kolgeci shpreson që Policia e Kosovës të dalë me një fushatë sensibilizuese
“ Fushatat e ndërgjegjësimit për sigurinë rrugore në zona rurale ka pasë shumë pak, mos të themi fare dhe vazhdon mos me u tregu një kujdes i veaçantë për kategori të ngasësve.
Shpresoj që shumë shpejt Policia e Kosovës ka me pasë një fushatë për këto kategori.”
Siguria në komunikacion në zonat rurale të Kosovës mbetet një sfidë e madhe që kërkon vëmendje urgjente. Aksidentet e fundit që përfshijnë traktorët janë një thirrje alarmi për të gjithë: institucionet, komunitetin dhe vetë bujqit. Mungesa e kontrolleve teknike, infrastruktura e papërshtatshme dhe kushtet e vështira ekonomike po kontribuojnë në një situatë që shpeshherë përfundon me pasoja tragjike. Është e domosdoshme që të merren masa konkrete , nga ofrimi i subvencioneve për mirëmbajtje të mjeteve bujqësore, deri te organizimi i fushatave vetëdijesuese dhe kontrolleve më të shpeshta nga autoritetet përkatëse. Vetëm përmes një qasjeje të bashkërenduar dhe të qëndrueshme, mund të parandalohet që jeta e fermerëve të mos rrezikohet më në rrugët e fshatrave të vendit./AutoPortali/




