Franca dhe një pjesë e madhe e Evropës po përballen me valën e parë të madhe të të nxehtit për këtë vit, me temperatura që në disa rajone kanë kaluar 40 gradë celcius.
Krahas shqetësimeve për shëndetin publik, vala e të nxehtit po shkakton presion edhe mbi rrjetin energjetik të vendit, pasi centralet bërthamore po përballen me vështirësi në ftohjen e reaktorëve për shkak të temperaturave të larta të lumenjve, transmeton AutoPortali.
Shërbimi Meteorologjik i Francës, Météo-Francë, ka lëshuar alarme portokalli për më shumë se një duzinë rajonesh, sidomos në jug dhe në pjesën qendrore të vendit, shkruan FtnNews.
Temperatura rekord prej 44 gradë celcius janë regjistruar në Occitanie dhe Provence, ndërsa temperaturat minimale gjatë natës mbeten mbi 25 gradë celcius, duke rritur rrezikun për goditje nga të nxehtit dhe probleme të tjera shëndetësore.
Qytetet si Lyon-i, Marsej dhe Parisi po u bëjnë thirrje banorëve dhe turistëve të shmangin daljet gjatë orëve të mesditës dhe të shfrytëzojnë hapësirat me hije apo ambientet me ajër të kondicionuar. Disa komuna kanë hapur qendra emergjente të ftohjes për publikun, ndërsa shërbimet mjekësore raportojnë rritje të rasteve me dehidrim dhe lodhje nga të nxehtit.
Kriza e energjisë po bëhet gjithashtu shqetësuese. Kompania franceze EDF ka paralajmëruar për ulje të prodhimit të energjisë në centralin bërthamor Bugey pranë Lyonit, për shkak të temperaturave të larta të ujit në lumin Rhône.
Situata mund të prekë edhe centrale të tjera si Cruas dhe Saint-Alban, duke ndikuar në furnizimin me energji elektrike në zonat jugore.
Ndërkohë, operatori kombëtar i hekurudhave SNCF ka paralajmëruar se temperaturat ekstreme mund të shkaktojnë kufizime në shpejtësinë e trenave për të parandaluar dëmtimet e linjave hekurudhore, gjë që mund të sjellë vonesa në linjat kryesore turistike si Parisi-Avinjoni dhe Lioni-Marseja.
Udhëtarët këshillohen të qëndrojnë të hidratuar, të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të nxehta, të kontrollojnë gjendjen e shërbimeve të energjisë dhe transportit, dhe të ndjekin aplikacionet për paralajmërime meteorologjike në kohë reale.
Kjo valë të nxehti nuk ka prekur vetëm Francën. Edhe vende si Spanja, Italia, Gjermania dhe Britania po përballen me temperatura mbi normalen për këtë periudhë. Ekspertët meteorologjikë e lidhin këtë valë me fenomenin e “kupolës së nxehtësisë”, e cila sipas tyre po bëhet gjithnjë e më e zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike. /AutoPortali



