Sulmuesi suedez Alexander Isak ka vendosur një kërkesë të fortë përpara drejtuesve të Newcastle United në lidhje me rinovimin e kontratës së tij. Sipas asaj që raporton Sky Sports, 24-vjeçari ka kërkuar një pagë vjetore prej 15.6 milionë funte, që përkthehet në rreth 300 mijë funte në javë, për të vazhduar aventurën e tij në “St James’ Park”.
Kjo shumë do ta bënte Isakun një nga lojtarët më të paguar në historinë e klubit, duke tejkaluar ndjeshëm strukturën aktuale të pagave te Newcastle. Forma e tij mbresëlënëse sezonin e kaluar, ku shënoi gola vendimtarë dhe u kthye në liderin ofensiv të ekipit, duket se ka forcuar pozitat e tij në bisedimet për kontratën e re, transmeton AutoPortali.
Megjithatë, kërkesa e lartë financiare mund të vendosë klubin përballë një dileme të vështirë, sidomos në kushtet e rregullave të rrepta të Fair Play Financiar që Premier League po i zbaton me rigorozitet.
Drejtuesit e Newcastle ende nuk kanë dhënë një përgjigje zyrtare, por negociatat pritet të jenë intensive në javët në vijim. Tifozët shpresojnë që klubi të arrijë një marrëveshje që mban Isakun në ekip, pa kompromentuar stabilitetin financiar të klubit.



