Arjeta Rysha thyen çdo tabu, e para edhe në plasmanin e përgjithshëm
A

Arjeta Rysha thyen çdo tabu, e para edhe në plasmanin e përgjithshëm

Arjeta Rysha vazhdon të jetë protagoniste e padiskutueshme në auto sportin kosovar.

Anëtarja e AK Ferizajt ka thyer tabunë e radhës. Pas shumë sukseseve në disiplinën malore, Arjeta të shtunën me BMW e saj doli e para në plasmanin e përgjithshëm të garës në disiplinën auto sllallom, e cila u mbajt të shtunën në Sllatinë.

“Ishte garë shumë e mirë me konkurrencë të fortë. Ndoshta tingëllon jomodesti, por realisht të fitosh një garë të përbashkët edhe me meshkujt, shumë prej të cilëve janë garues me përvojë të gjatë, mendoj që është sukses i madh. Gjithsesi, ky është pasioni im dhe sigurisht që jam shumë e kënaqur me këtë fitore”, ka thënë Rysha pas garës, e cila pati edhe një dedikim të veçantë: “Fitoren ia dedikoj bashkëshortit tim Sadatit, të cilit i uroj shërim të shpejtë dhe e falënderoj për përkrahjen e madhe që e kam prej tij”.

Deri te fitorja ajo arriti me kohë 01:34.133 dhe 01:34.227 minuta, koha e përgjithshme 03:08.360 minuta, ndërsa nuk pati asnjë penallti.

Në pozitën e dytë u rendit Jeton Qerimi i Prishtina Racing Team, po ashtu me BMW, i cili pati kohë 01:36.596 dhe 01:32.851 (koha e përgjithshme 03:09.446 minuta) ose 01:086 sekonda vonesë në krahasim me fituesen.

Podiumi u plotësua me Dion Muhaxhirin e AK Gjakova 137. Ai me Honda Civic Type R pati kohë 01:33.053 dhe 01:32.437, por u penalizua për shkak të dy penalltive.

Në konkurrencën ekipore në pozitën e parë u rendit Prishtina RT me 60 pikë. Paraqitje shumë të mirë pati edhe AMTKK. Klubi prizrenas pas pozitës së parë që e arriti një javë më parë në Prizren, kësaj radhe u rendit i dyti, ndërsa pozita e tretë i takoi AK Ferizajt.

Rezultatet komplete mund t’i shihni në linkun e mëposhtëm:

https://www.facebook.com/share/p/1Jpg9ZAHkb/

 

TË FUNDIT