Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka vlerësuar si tejet konkurruese ndeshjen e barazuar 1–1 ndaj Chelseat në xhiron e 13-të të Premier League, duke theksuar intensitetin dhe emocionet që e karakterizuan sfidën në Stamford Bridge.
“Ndeshja ishte shumë konkurruese. Të dyja ekipet shfaqën intensitet dhe agresivitet, dhe në çdo duel dukej qartë sa shumë ishte në lojë”, deklaroi Arteta pas takimit.
Tekniku spanjoll pranoi se pjesa e dytë u bë e vështirë për skuadrën e tij, veçanërisht për shkak të katër lojtarëve të ndëshkuar me kartonë të verdhë dhe disa gabimeve që çuan në pësimin e golit.
“Chelsea kërkoi ta shfrytëzonte faktin që kishim katër lojtarë të ndëshkuar. Në fillim të pjesës së dytë ishim të çorganizuar dhe pësuam gol, ndaj duhej të menaxhonim emocionet. Më pas u riorganizuam, shënuam një gol të shkëlqyer dhe krijuam raste të tjera”, shtoi ai.
Arteta komentoi edhe për sfidat fizike dhe emocionale të javës, duke përmendur humbjen e dy lojtarëve kyç dhe mungesën e kohës së duhur për rikuperim.
Ai rikujtoi se Chelsea vinte nga fitore ndaj Barcelonës, duke e bërë përballjen edhe më të ndërlikuar.
“E dinim që disa aspekte të ndeshjes do ishin të vështira, por pritja ime ishte të fitonim. Goli i pësuar në fillim të pjesës së dytë ishte sfidues emocionalisht”, përfundoi trajneri i Arsenalit./AutoPortali



