Ka nisur asfaltimi i rrugës Junik–Restavic, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor që pritet të ndikojë ndjeshëm në qarkullimin dhe zhvillimin ekonomik të kësaj ane të Kosovës. Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka bërë të ditur përmes një njoftimi publik se ky segment rrugor, i shumëpritur nga banorët, po merr më në fund trajtimin që meriton.
“Disa e matin zhvillimin me statuse nostalgjike dhe ‘kujtime nga arkiva’. Ne e masim me metra asfalt, orë pune dhe investime konkrete që u shërbejnë qytetarëve sot,” deklaroi Shehu, duke nënvizuar se qëllimi kryesor nuk është krijimi i imazheve elektorale, por përmirësimi real i kushteve të jetesës për qytetarët e kësaj zone, që për vite me radhë kanë qenë të lënë pas dore, përcjell AutoPortali.
Projekti vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të komunës për të modernizuar infrastrukturën lokale dhe për të forcuar lidhjet mes fshatrave dhe qendrës së Junikut. Kryetari falënderoi qytetarët për durimin dhe mbështetjen, duke shtuar se “rruga po shtrohet, zhurma po mbetet pas.”
Ky investim pritet të sjellë lehtësira të mëdha për banorët lokalë, si dhe të kontribuojë në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në këtë pjesë të Dukagjinit.



