Agjencia e Statistikave të Kosovës, sot e ka mbajtur konferencën përmbyllëse të procesit të regjistrimit të popullsisë.
Ushtruesi i detyrës i drejtorit të kësaj agjencie, Avni Kastrati, ka thënë se Kosova pritet t’i ketë përafërsisht 1.6 milion banorë rezidentë.
“Ndërsa nga diaspora janë regjistruar 600 mijë banorë”, tha Kastrati në konferencën për media.
Kastrati tha se të dhënat preliminare do të publikohen në muajin korrik.
Ai u shpreh edhe i kënaqur rreth këtij procesi.
“Në përgjithësi të gjitha komunitetet në Kosovë kanë qenë të hapura dhe kanë qenë në favor të regjistrimit të popullsisë. Pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve ka qenë masive, përveç komunitetit serb në katër komunat në veri, që kanë marrë pjesë pjesërisht”, ka thënë ai.
Procesi i regjistrimit të popullsisë ka nisur më 5 prill dhe ka përfunduar më 17 prill.
Por, në disa komuna ky proces është vazhduar edhe për një javë.
Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2 mijë euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.
Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20 mijë euro, për biznese./KlanKosova/



