Aston Martin tërheq Vanquish-in e ri për defekt në sistemin e frenimit
A

Aston Martin tërheq Vanquish-in e ri për defekt në sistemin e frenimit

Aston Martin ka tërhequr për kontroll modelin e ri Vanquish 2025, pas një defekti në softuerin e pompës së vakumit që rrezikonte çaktivizimin e asistencës së frenimit. Kompania konfirmoi se rreth 178 makina në SHBA dhe mbi 400 globalisht janë prekur nga ky problem teknik.

Sipas AutoBlog, defekti lidhet me një kod diagnostikues (P050FFF), i cili mund të çaktivizojë furnizimin me vakum të “brake booster”-it.

Kjo do të thotë se frenat vazhdojnë të funksionojnë, por pa asistencën e fuqisë, gjë që rrit ndjeshëm distancën e ndalimit sidomos në shpejtësi të larta, transmeton AutoPortali.

Zgjidhja është një përditësim softuerik i programit të stabilitetit elektronik (ESP). Për pronarët, kjo nënkupton vetëm disa orë në servis dhe pa kosto shtesë. Aplikimi i përditësimit do të nisë më 8 shtator, ndërkohë që Aston Martin thekson se deri tani nuk ka asnjë aksident apo lëndim të raportuar.

Ky rikthim vjen në një moment të ndjeshëm për markën britanike. Vanquish, si model kryesor, mban peshën e imazhit dhe prestigjit të kompanisë, e cila nën drejtimin e CEO Adrian Hallmark ka shpallur strategjinë për një “biznes me performancë të lartë”.

Edhe gabime të vogla si ky mund të rrezikojnë perceptimin e fuqisë së markës, sidomos në një treg ku konkurrentët miliardë-dollarësh po avancojnë shpejt me elektrifikimin.

Pavarësisht kësaj, Aston Martin ka reaguar me transparencë dhe shpejtësi, duke e kthyer këtë incident më shumë në një çështje mirëmbajtjeje digjitale sesa problem mekanik.

Për një makinë që kap mbi 200 milje në orë, defekti në asistencën e frenimit tingëllon shqetësues, por në realitet është thjesht një “update” softueri kujtesë se edhe supermakinat 300 mijë funta herë pas here kanë nevojë për përditësim, ashtu si një kompjuter. /AutoPortali

TË FUNDIT