Audi po përgatitet të zbulojë një makinë të re sportive elektrike këtë vjeshtë. Njoftimi erdhi nëpërmjet një interviste me CEO-n e Audi-t, Gernot Döllner, në gazetën gjermane Bild, ku ai foli hapur për problemet e fundit të Audi-t dhe nevojën për të rigjallëruar linjën e markës. Döllner e quajti këtë model të ri “TT Moment 2.0”, duke iu referuar rëndësisë së TT-së si një ikonë dizajni për Audi-n në fund të viteve 1990, dhe konfirmoi se makina sportive elektrike do të shfaqet për herë të parë përpara panairit të makinave në Mynih të këtij viti në shtator.
Zbulimi në shtator pritet të pozicionohet si një makinë konceptuale dhe ka të ngjarë të shfaqë disa elementë dizajni që anojnë më shumë nga ato fantastike sesa nga ato praktike. Megjithatë, Döllner nxitoi të konfirmonte se kjo nuk do të mbetet vetëm një koncept, duke deklaruar se “makina do të ndërtohet” dhe duke vendosur lançimin për dy vjet nga tani, shkruan Car and Driver, transmeton AutoPortali.
Döllner nuk dha detaje të tjera mbi makinën e re sportive elektrike, por modeli pritet të përgatisë skenën për Audi-t e ardhshëm, duke shfaqur një gjuhë të re dizajni, një pamje të re të brendshme dhe karakteristika të reja teknike. Pavarësisht se Döllner iu referua TT-së në lidhje me atë që modeli i ri do të nënkuptojë për dizajnin e Audi-së, duket se do të pozicionohet pak më lart për sa i përket performancës. Në intervistë, Döllner e quajti atë “një makinë sportive shumë emocionale – jo një TT, jo një R8, por diçka midis këtyre dyve”.
Kjo nuk është hera e parë që dëgjojmë për një makinë sportive elektrike Audi. Raportet e mëparshme kanë sugjeruar se një pasardhës i TT do të bazohet në Porsche 718 EV që do të dalë së shpejti , një makinë sportive elektrike që do të zëvendësojë Boxster dhe Cayman aktuale.
Döllner e sheh këtë model të ri si thelbësor për të përmirësuar situatën, me Audin që ka pasur probleme vitet e fundit me vonesa për sistemet e reja të softuerit dhe programet e drejtimit autonom, si dhe me një linjë modelesh që nuk ka bërë shumë bujë tek klientët.



