Aurora sjell revolucionin: Kamionët autonomë tashmë operojnë pa shofer edhe natën
A

Aurora sjell revolucionin: Kamionët autonomë tashmë operojnë pa shofer edhe natën

Në një hap të rëndësishëm për të ardhmen e transportit rrugor, kompania amerikane Aurora Innovation ka filluar zyrtarisht operacionet komerciale pa shofer edhe gjatë natës, në itinerarin strategjik Dallasi–Hjuston. Me këtë zhvillim, teknologjia autonome SAE Level 4 po i afrohet gjithnjë e më shumë përdorimit të gjerë në industrinë e logjistikës.

Kamionët e Aurorës janë të pajisur me një sistem të avancuar sensorësh dhe radarësh, si dhe me FirstLight Lidar — një teknologji pronësore që mund të detektojë objekte deri në 450 metra larg edhe në errësirë totale. Kjo do të thotë që këta kamionë arrijnë të zbulojnë rreziqet në rrugë deri në 11 sekonda më shpejt sesa një shofer i trajnuar.

“Vetëm tre muaj pas fillimit të operacioneve tona pa shofer, tashmë jemi në gjendje të funksionojmë ditë e natë dhe kemi zgjeruar rrjetin e terminaleve tona në Phoenix,” deklaroi Chris Urmson, bashkëthemelues dhe CEO i Aurorës, transmeton AutoPortali.

Përfitimet e operimit gjatë natës janë të shumta: rrugë më të zbrazëta, temperatura më të ulëta që ndihmojnë performancën e pajisjeve teknologjike, dhe mbi të gjitha – një rritje e ndjeshme në efikasitetin e zinxhirit të furnizimit. Kamionët autonomë nuk kanë nevojë për ndalesa për pushim apo ndërrime shoferësh, duke mundësuar udhëtime të gjata pa ndërprerje.

Ky zhvillim jo vetëm që rrit produktivitetin, por edhe sinjalizon një të ardhme të afërt ku teknologjia do të zëvendësojë gradualisht rolin tradicional të shoferit në transportin rrugor të mallrave. Aurora duket se është një hap përpara në këtë garë globale drejt automatizimit të plotë.

TË FUNDIT