Tesla po përballet me një sfidë serioze në Kaliforni, ku autoritetet shtetërore kanë nisur një betejë ligjore kundër kompanisë për reklama mashtruese lidhur me teknologjinë “Autopilot” dhe “Full Self-Driving”. Kompania e Elon Musk mund të përjashtohet për 30 ditë nga tregu më i madh i makinave të reja në SHBA.
DMV i Kalifornisë godet reklamimin e Tesla-s për “Autopilot”
Sipas AutoBlog, Tesla prej vitesh e ka quajtur sistemin më të avancuar të ndihmës për drejtuesin me emrat “Autopilot” dhe “Full Self-Driving” një emërtim mashtrues, pasi asnjëra nga këto teknologji nuk mundëson drejtim të pavarur të automjetit. Tani, kjo praktikë mund t’i kushtojë shtrenjtë prodhuesit të makinave elektrike.
Sipas raportimit të Electrek, Tesla mund të humbasë përkohësisht licencën për shitjen e veturave në Kaliforni, për shkak të një padie nga Departamenti i Automjeteve të Kalifornisë (DMV), i cili e akuzon kompaninë për reklamim të rremë dhe manipulim të konsumatorëve në lidhje me aftësitë reale të teknologjisë së saj ndihmëse për drejtuesin.
DMV kërkon pezullimin e plotë të shitjeve për një periudhë 30-ditore një goditje e rëndë për kompaninë, transmeton AutoPortali.

Tesla akuzohet për ekzagjerim të teknologjisë së saj
Hetimet ndaj Tesla-s kanë nisur që në vitin 2021. Autoritetet janë të shqetësuara jo vetëm për emërtimet “autopilot” dhe “full self-driving”, por edhe për deklarata publike të Tesla-s që, sipas tyre, janë mashtruese. Njëra prej tyre thotë se teknologjia “është dizajnuar të kryejë udhëtime të shkurtra e të gjata pa ndërhyrjen e shoferit”.
Një tjetër deklaratë publike e Tesla-s e cituar nga DMV është: “Gjithçka që duhet të bëni është të hipni në veturë dhe t’i thoni ku të shkojë.” Përballë këtyre akuzave, Tesla ka mbrojtur veten duke argumentuar se paralajmërimet në veturë, që u kujtojnë shoferëve të qëndrojnë të përqendruar, janë të mjaftueshme për të shmangur keqkuptimet.
Por këto argumente nuk e kanë bindur DMV-në. Në një seancë pesëditore dëgjimore, agjencia ka kërkuar pezullimin e licencës së Tesla-s për prodhim dhe shitje “jo më pak se 30 ditë”, si dhe kompensim financiar shuma e të cilit do të përcaktohet në një seancë të ardhshme.

Telashe të reja për Tesla-n
Nuk është hera e parë që Tesla përballet me akuza për mashtrim në mënyrën se si e portretizon teknologjinë e vet në publik. Në vitin 2021, Jennifer Homendy, kryetare e Bordit Kombëtar për Sigurinë në Transport (NTSB), e quajti emërtimin “Full Self-Driving” “të rremë dhe të papërgjegjshëm”.
Qeveria amerikane ka hapur disa hetime ndaj Tesla-s vitet e fundit, përfshirë një këtë vit që lidhej me funksionin “Smart Summon” për parkim nga distanca – që preku 2.6 milionë vetura.
Por ndryshe nga hetimet e mëparshme që zakonisht përfundonin me tërheqje produktesh ose masa të sigurisë, kjo padi mund të godasë drejtpërdrejt shitjet e Tesla-s. Kalifornia nuk është vetëm tregu më i madh për vetura elektrike në SHBA, por edhe tregu më i madh për automjete të reja në përgjithësi. Edhe një pezullim afatshkurtër është goditje e madhe.
Tesla raportoi një rënie të ndjeshme të shitjeve në tremujorin e dytë të këtij viti, pikërisht në kohën kur disa nga drejtuesit kryesorë të shitjeve u larguan nga kompania. Kreu i ri i departamentit të shitjeve vjen nga fusha e IT-së dhe nuk ka përvojë në këtë sektor.
Në të njëjtën kohë, pezullimi i penaliteteve për emetimet nga ana e qeverisë federale mund ta godasë Tesla-n edhe më tej, duke i shkaktuar humbje në shitjen e kredive të përputhshmërisë – një burim të ardhurash që shpesh ka qenë më fitimprurës sesa shitja e veturave. /AutoPortali



