Barcelona planifikon rinovimin e kontratës për Lewandowskin
B

Barcelona planifikon rinovimin e kontratës për Lewandowskin

Barcelona po shqyrton mundësinë që t’i ofrojë një kontratë të re Robert Lewandowskit, me synimin që sulmuesi polak të qëndrojë të paktën edhe një sezon tjetër në “Camp Nou”.

Sipas raportimeve të ESPN, rinovimi i kontratës do të kushtëzohet me pranimin e një uljeje të pagës nga ana e Lewandowskit, një masë e domosdoshme për klubin katalanas për të krijuar hapësirë financiare dhe për të realizuar transferime të tjera gjatë afatit kalimtar të verës.

Trajneri Hansi Flick raportohet se është i kënaqur me profesionalizmin, qëndrimin dhe paraqitjet e sulmuesit 36-vjeçar.

Lewandowski iu bashkua Barcelonës në vitin 2022 nga Bayern Munich për një shifër rreth 42.5 milionë paund, ndërsa që nga ajo kohë ka regjistruar 113 gola dhe 23 asistime në 174 ndeshje në të gjitha garat, duke mbetur një pjesë kyçe e formacionit titullar.

Paralelisht me rinovimin e mundshëm të polakut, drejtuesit e klubit po planifikojnë edhe afrimin e një sulmuesi shtesë, i cili do të konkurronte drejtpërdrejt me Ferran Torres.

Në këtë kontekst, emra si Julian Alvarez i Atletico Madridit dhe Dusan Vlahovic i Juventusit janë përmendur si opsione të mundshme.

Në aspektin sportiv, Barcelona aktualisht kryeson La Liga me një pikë avantazh dhe synon të mbrojë titullin kampion.

Skuadra vjen pas fitoreve ndaj Oviedo dhe Elche, duke u rikthyer te rezultatet pozitive pas humbjes 2-1 kundër Real Sociedad muajin e kaluar. /AutoPortali

TË FUNDIT