Bashkimi eliminohet nga FIBA Europe Cup
B

Bashkimi eliminohet nga FIBA Europe Cup

Bashkimi e mbylli edicionin debutues në FIBA Europe Cup me një paraqitje solide, duke regjistruar tri fitore në gjashtë ndeshje nga një kundër secilit rival të grupit.

Megjithatë, kjo nuk ishte e mjaftueshme për të kaluar më tej.

Në Grupin J, të katër skuadrat përfunduan me bilanc të njëjtë: tri fitore dhe tri humbje.

Kualifikimin e përcaktoi koshdallimi, ku fatkeqësisht Portokallezinjtë dolën më dobët.

Nga ky grup, vetëm Reggiana siguroi kalimin në fazën e Top 16, dhjetë vendet e para dhe gjashtë ekipet më të mira të vendeve të dyta nga të gjitha grupet plotësuan listën e skuadrave të kualifikuara.

Bashkimi e nisi garën me tri humbje radhazi, por reagoi fuqishëm duke fituar tri ndeshjet e fundit.

Në Prizren triumfoi ndaj Cibonës 89:69 dhe Reggianas 77:76, ndërsa në transfertë mposhti Dijonin 84:93, skuadër ndaj të cilës kishte humbur më herët në shtëpi pas shtesës, 74:83.

Sa i përket koshdallimit, Reggiana përfundoi me +45, Dijon me +1, Cibona me -18, ndërsa Bashkimi me -28.

Pavarësisht eliminimit, ky mbetet një sukses i rëndësishëm për nënkampionët e Kosovës, të cilët në edicionin e tyre të parë në grupet e FIBA Europe Cup arritën tre fitore të merituara. /AutoPortali

TË FUNDIT