BBC publikon pesëshen e vendeve më të sigurta sipas GPI 2025
B

BBC publikon pesëshen e vendeve më të sigurta sipas GPI 2025

Në vitin 2025, paqja është bërë një luks i rrallë. Luftërat në botë po shtohen, kufijtë po militarizohen dhe tensionet tregtare po ashpërsohen. Sipas Indeksit Global të Paqes (GPI), i publikuar nga Instituti për Ekonominë dhe Paqen, numri i konflikteve ka arritur në nivelin më të lartë që nga Lufta e Dytë Botërore. Vetëm gjatë këtij viti kanë shpërthyer tre luftëra të reja, duke shtuar frikën e përshkallëzimit global.

Megjithatë, ka vende që vazhdojnë ta mbajnë paqen në qendër të politikave të tyre. BBC ka listuar pesë prej tyre, duke treguar se si kombinimi i sigurisë, neutralitetit dhe kulturës sociale i mban larg krizave, transmeton AutoPortali.

Islanda

Prej vitit 2008, Islanda kryeson renditjen dhe këtë vit ka forcuar edhe më tej diferencën me vendet e tjera. Pavarësisht motit të ashpër, siguria ndihet në përditshmëri, foshnjat lihen të flenë jashtë kafeneve, policia nuk mban armë dhe barazia gjinore është pjesë e politikave shtetërore.

Irlanda

E shënuar nga konflikte në shekullin e kaluar, sot Irlanda renditet ndër më të sigurta. Krimi është i ulët, dhuna pothuajse e papërfillshme dhe vendi ruan neutralitetin ushtarak, duke u fokusuar te diplomacia. Për banorët, edhe natyra kontribuon në ndjesinë e qetësisë.

Zelanda e Re

Me një ngritje prej dy vendesh këtë vit, Zelanda e Re përfiton nga vendndodhja gjeografike dhe politikat e brendshme të sigurisë. Ligjet e rrepta për armët, kultura e besimit dhe lidhja e ngushtë me natyrën krijojnë një atmosferë unike sigurie. Dyert e shtëpive shpesh nuk kyçen dhe fëmijët shkojnë vetëm në shkollë.

Austria

Edhe pse ka rënë një vend, Austria ruan një bilanc të fortë falë neutralitetit dhe rrjetit të gjerë të mbrojtjes sociale. Sistemi shëndetësor i klasit botëror, arsimi cilësor dhe besimi shoqëror e bëjnë një nga vendet më të sigurta për të jetuar.

Singapori

Vendi i vetëm aziatik në dhjetëshen më të mirë, Singapori renditet i gjashti. Pavarësisht shpenzimeve të larta për ushtri dhe kufizimeve në disa liri sociale, siguria publike është e jashtëzakonshme. Të ecësh natën vetëm, të hash në rrugë në orët e vona apo të shëtisësh në park pas mesnate konsiderohet rutinë e zakonshme.

Dhjetë vendet më të sigurta sipas GPI 2025: 

  • Islanda
  • Irlanda
  • Zelanda e Re
  • Austria
  • Zvicra
  • Singapori
  • Portugalia
  • Danimarka
  • Sllovenia
  • Finlanda

TË FUNDIT