Një vendim historik i Komitetit të Transportit dhe Turizmit në Parlamentin Europian mund t’i japë fund tarifave shtesë për bagazhin dorës në fluturimet brenda BE-së.
Me 38 vota pro dhe vetëm dy kundër, komiteti miratoi ndryshime në rregulloren për të drejtat e pasagjerëve, të cilat pritet të votohen edhe nga Parlamenti Europian dhe Këshilli i BE-së në javët e ardhshme.
Sipas propozimit shkruan Cambridge-news, udhëtarët do të kenë të drejtë të marrin me vete dy çanta pa pagesë shtesë: një çantë personale (si çantë shpine, laptopi apo çantë dore) me maksimum përmasash 40x30x15 cm, dhe një bagazh dore të vogël me maksimum 7 kg peshë dhe përmasa deri në 100 cm.
Ky ndryshim synon të ndalojë kostot e pajustifikuara, që prej vitesh janë aplikuar nga kompanitë me kosto të ulët si Ryanair, EasyJet dhe Wizz Air, transmeton AutoPortali.
Aktualisht, për një bagazh shtesë, udhëtarët paguajnë deri në 36 funte te Ryanair dhe deri në 40 funte te EasyJet, nëse bagazhi tejkalon dimensionet standarde.
Përveç bagazheve, propozimi parashikon edhe masa të reja mbrojtjeje për pasagjerët, si:
- Vendosja falas e fëmijëve nën 12 vjeç pranë prindërve,
- Udhëtim pa pagesë për shoqëruesit e personave me aftësi të kufizuara,
- Kompensim në rast të humbjes ose dëmtimit të pajisjeve të lëvizshmërisë,
- Një formular standard për kërkesat për kompensim dhe rimbursim,
Lista e qartë e rrethanave të jashtëzakonshme kur kompanitë mund të shmangin përgjegjësinë.
Megjithatë, Shoqata e Linjave Ajrore për Evropën (A4E) ka kundërshtuar ndryshimet, duke paralajmëruar se ato mund të çojnë në rritje të çmimeve të biletave, edhe për ata që udhëtojnë pa shumë bagazh.
Edhe pse Mbretëria e Bashkuar nuk është më pjesë e BE-së, këto rregulla do të prekin edhe pasagjerët që udhëtojnë nga apo drejt BE-së me kompani europiane. /AutoPortali



