Një iniciativë qytetare është nisur për të ndalur një projektligj të ri të Bashkimit Evropian, i cili sipas organizatorëve do t’i dobësonte ndjeshëm të drejtat e pasagjerëve ajrorë, duke rritur kufijtë e vonesave dhe duke ulur kompensimet financiare.
Fushata është cilësuar si përgjigje ndaj një propozimi “armiqësor ndaj pasagjerëve”, që sipas aktivistëve do t’u kushtojë qytetarëve në gjithë Evropën para, kohë dhe të drejta.
“Pas më shumë se një dekade bllokimi legjislativ, qeveritë e BE-së po përkeqësojnë të drejtat e pasagjerëve evropianë. Ne duam t’u japim europianëve një zë për ta kundërshtuar këtë,” deklaroi për Euronews profesori Alberto Alemanno, themelues i organizatës The Good Lobby dhe një nga nismëtarët e peticionit.
Edhe pse një iniciativë qytetare nuk e detyron Komisionin Evropian të propozojë legjislacion të ri, ai është i detyruar të përgjigjet brenda gjashtë muajve, duke sqaruar arsyet nëse vendos të mos ndërmarrë veprime, transmeton AutoPortali.
Nga tri orë në gjashtë, kufiri për kompensim po rritet
Sipas rregullave aktuale të BE-së, pasagjerët kanë të drejtë të kërkojnë kompensim nga 250 deri në 600 euro në rast vonese prej të paktën tre orësh. Por kjo mund të ndryshojë së shpejti.
Pas 12 vitesh bllokim politik, një shumicë e ngushtë e shteteve anëtare të BE-së ka mbështetur një propozim për të rritur kufirin e vonesave në katër deri në gjashtë orë, si dhe për të ulur kompensimin për fluturimet e gjata (mbi 3,500 km) me 100 euro.
Plani duhet ende të miratohet nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian, ku shumë eurodeputetë nga të gjitha spektrat politike kanë shprehur kundërshtim të fortë.
“Interesi i njerëzve duhet të jetë gjithmonë përpara fitimit dhe kjo nuk bën përjashtim,” u shpreh eurodeputeti holandez Mohammed Chahim (S&D). “Njerëzit nuk po i luten linjave ajrore për ndihmë – ata paguajnë shuma të konsiderueshme dhe meritojnë shërbim cilësor dhe kompensim të drejtë kur ky shërbim mungon.”
Organizatat e konsumatorëve paralajmërojnë, linjat ajrore e mbështesin reformën
Shoqata Evropiane e Konsumatorëve (BEUC) paralajmëroi se pragjet e reja do t’ua pamundësojnë shumicës së pasagjerëve të kërkojnë kompensim, pasi shumica e vonesave ndodhin në intervalin dy deri në katër orë.
Por grupi Airlines for Europe (A4E), që përfaqëson kompani si Ryanair, easyJet dhe Lufthansa, thotë se reforma do t’i bëjë të drejtat e pasagjerëve më “të qarta” dhe më “të lehta për t’u zbatuar”.
“Sot, linjat ajrore shpesh detyrohen të anulojnë fluturime që përndryshe mund të realizoheshin me një vonesë, sepse edhe vonesat e shkurtra aktivizojnë kompensim,” deklaroi për Euronews Ourania Georgoutsakou, drejtore menaxhuese e A4E. “Shumica e njerëzve duan të mbërrijnë në destinacion, jo të presin për pagesa kompensuese.”
Sipas A4E, propozimi fillestar i Komisionit parashikon që kufiri i vonesave të rritet nga tri në pesë orë për fluturimet e shkurtra, dhe nga tri në nëntë orë për fluturimet e gjata.
“Analizat tona tregojnë se ky ndryshim i vetëm mund të parandalojë deri në 70% të anulimeve të shmangshme në Evropë,” shtoi Georgoutsakou, duke theksuar se kjo do të ndihmonte kompanitë të rikuperojnë më shpejt oraret, të reduktojnë vonesat zinxhir dhe të shmangin anulime të panevojshme.
Parlamenti ka afat deri në tetor për kundërpropozimin
Parlamenti Evropian ka afat deri në fillim të tetorit për të paraqitur qëndrimin e vet, në përgjigje të Këshillit të BE-së, i cili në qershor miratoi një qëndrim ligjërisht të detyrueshëm pa zhvilluar diskutimet e zakonshme informale me eurodeputetët.
“Nuk mund të lejojmë që shtetet anëtare të minojnë të drejtat e fituara me mund të pasagjerëve ajrorë,” deklaroi Andrey Novakov (EPP/Bullgari), eurodeputeti përgjegjës për dosjen. “Dobësimi i këtyre të drejtave do të ishte një tradhti ndaj besimit që qytetarët kanë vendosur tek BE-ja për mbrojtjen e interesave të tyre,” përfundoi ai. /AutoPortali



