Pëlqehet apo jo, eksperimenti social që solli super-SUV-ët ultra-luksozë është kthyer në një sukses për prodhuesit e makinave. Ndër ta, edhe Bentley me modelin Bentayga – një histori suksesi që ka rritur pritshmëritë.
Por për klientët në qytete të dendura si Madridi, Londra apo Roma, Bentayga është thjesht shumë e gjatë për t’u parkuar ligjërisht në rrugë. Për t’u ardhur në ndihmë atyre dhe për të joshur një klientelë edhe më të gjerë, Bentley po përgatit një model të ri SUV të tipit “urban”, me gjatësi më pak se 5 metra.
Fotot e fundit të publikuara nga Autoblog ku shihet një makinë provë e veshur me karroceri të tipit Porsche thuhet se tregojnë pikërisht modelin e ardhshëm të Bentley-t.
Dy emra të mundshëm zbuluar nga dokumentet e markës
Në shkurt të këtij viti, portali CarMoses raportoi për dy aplikime të reja për marka tregtare nga Bentley: Mayon dhe Barnato. Emri “Mayon” mund të lidhet me vullkanin aktiv Mayon në Filipine, duke ndjekur traditën e emërtimit si te modeli Bentayga – që mori emrin nga formacioni shkëmbor Roque Bentayga në Ishujt Kanarie.
Emri “Barnato”, ndërkohë, është përdorur më herët nga Bentley dhe i referohet Woolf Barnato, pilot i famshëm dhe fitues i Le Mans-it, i cili luajti rol kyç në mbijetesën e kompanisë në vitet 1920, transmeton AutoPortali.

Bentley kishte parashikuar që SUV-i i ri elektrik do të dilte në treg në vitin 2026, duke llogaritur që kërkesa për EV-të do të arrijë një nivel të qëndrueshëm deri atëherë. Megjithatë, data e lançimit është shtyrë me një vit në 2027 por kompania premton se pritja do të shpërblehet: SUV-i elektrik do të jetë “shumë më i shkathët” se Bentayga.
Pritet të bazohet mbi platformën PPE të Audi-t dhe Porsche-s
Edhe pse Bentley ende nuk ka konfirmuar platformën mbi të cilën do të ndërtohet SUV-i i ri, në kohën e njoftimit për herë të parë, PPE-ja – e njëjta arkitekturë që përdoret nga Audi Q6 e-tron dhe Porsche Macan Electric dukej zgjedhja më logjike. Dhe me faktin që makina provë e fotografuar mban formën e një Porsche-je, kjo teori pothuajse konfirmohet.
Bentley gjithashtu ka lënë të kuptohet se modeli i ri do të marrë elementë dizajni nga koncepti futurist EXP 15, ndonëse prototipi aktual nuk zbulon shumë për stilin përfundimtar.

Autonomi rreth 560–640 km dhe teknologji ekskluzive zëri
Pritet që SUV-i të ketë një autonomi nga 350 deri në 400 milje (rreth 560–640 kilometra), të mbështesë karikimin e shpejtë dhe të sjellë risi të veçanta në përvojën e drejtimit.
Shefi i R&D në Bentley, Dr. Matthias Rabe, deklaroi gjatë prezantimit se tingulli i modelit elektrik nuk do të jetë thjesht sintetik apo imitim i zgjidhjeve të prodhuesve të tjerë. Pa dhënë shumë detaje, ai shtoi se kompania është duke zhvilluar “diçka që askush tjetër nuk po e bën aktualisht”. /AutoPortali



