Sipas raportimeve të fundit, mesfushori i Manchester Cityt, Bernardo Silva, pritet të largohet nga klubi në vitin 2026, kur edhe i skadon kontrata aktuale.
Edhe pse ende nuk ka detaje të qarta për destinacionin e tij të ardhshëm, besohet se reprezentuesi portugez do të mbyllë kapitullin e tij në Premier League dhe do të largohet nga Anglia.
Në mesin e klubeve që kanë shprehur interes për shërbimet e Silvas përmenden Barcelona dhe Benfica, si dhe disa ekipe nga Superliga e Arabisë Saudite, të cilat vazhdojnë të ofrojnë kontrata shumë të majme për yjet ndërkombëtarë.
Së fundmi, në garë për mesfushorin portugez janë futur edhe gjigantët e futbollit italian, Milani dhe Juventusi.
Edhe pse një transferim drejt Torinos konsiderohet i komplikuar për shkak të aspektit financiar dhe konkurrencës së madhe, ai nuk përjashtohet plotësisht si opsion.
Sipas burimeve pranë mediave italiane, Juventusi mund t’i ofrojë Silvas një projekt ambicioz dhe një rol kyç në skuadër, duke e bërë atë një figurë qendrore në mesfushë.
Një lëvizje e tillë përshkruhet si një “transferim në stilin e Modric”, që do të përfshinte një pagë të lartë dhe garanci për një projekt afatgjatë konkurrues, me synimin për ta bindur Bernardon të ndërmarrë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij jashtë Premier League./AutoPortali



