BMW i jep lamtumirën Serisë 8 me ngjyra ikonike nga vitet ’90
B

BMW i jep lamtumirën Serisë 8 me ngjyra ikonike nga vitet ’90

Vetëm 500 njësi të kufizuara të M850i Edition M Heritage do të prodhohen, me ngjyra të trashëguara nga Seria 8 origjinale e viteve ’90.

BMW po e mbyll ciklin e Serisë 8 me një version special të frymëzuar nga retro. Ky grand tourer luksoz, për të cilin përflitet se do të ndalojë prodhimin vitin e ardhshëm, vjen në edicionin e veçantë M Heritage, në nder të modelit origjinal të viteve 1990–1999.

Paleta e ngjyrave përfshin Bright Red, Mauritius Blue, Cosmos Black, Oxford Green dhe Daytona Violet të gjitha ngjyra historike të gjeneratës E31, shkruan Motor1, transmeton AutoPortali.

Bazuar në M850i xDrive Gran Coupe dhe i kufizuar në vetëm 500 ekzemplarë, ky edicion vjen me çati karboni me shirita tre-ngjyrësh M, felne speciale 20 inç dhe paketën M Sport Professional si standard, me përmirësime si frenat e avancuara, kaliperat e zinj dhe elementë të jashtëm të errësuar.

Kabina, e mbështjellë me Alcantara dhe lëkurë Merino të zezë me qepje diamant, ka tavan, panele dere dhe pjesë të bordit të veshura me Alcantara, ndërsa bordi është i mbuluar me fibër karboni mat.

Detajet me qepje tre-ngjyrëshe M gjenden kudo, bashkë me mbulesën e vendit të gotës dhe pllakëzat e pragjeve ku shkruhet “M850i Edition M Heritage” dhe “1/500”.

Nga ana mekanike nuk ka ndryshime: motori mbetet V8 4.4-litërsh twin-turbo me 523 kuaj fuqi dhe 553 lb-ft çift rrotullues, i kombinuar me një transmision automatik me tetë marshe dhe tërheqje në të katër rrotat. Shpejtësia 0–100 km/h arrihet në 3.9 sekonda, ndërsa ajo maksimale kufizohet elektronikisht në 250 km/h.

BMW ka sqaruar se nuk do të ketë opsione shtesë për këtë edicion çdo pajisje vjen standard, përfshirë sistemin audio Bowers & Wilkins Diamond Surround dhe paketën Driving Assistance Professional. E vetmja zgjedhje për klientin është ngjyra e jashtme.

Çmimi fillestar është 131,575 dollarë (me tarifën e destinacionit prej 1,175 dollarësh), rreth 23 mijë dollarë më shumë se një M850i Gran Coupe standard. Prodhimi pritet të nisë në fund të vitit 2025, ndërsa shpërndarjet e para planifikohen në fillim të vitit të ardhshëm. /AutoPortali

TË FUNDIT