BMW M2, një nga modelet më të dashura të divizionit M, është gati të bëhet edhe më i egër. Pas rritjes së fuqisë në modelin standard për vitin 2025 me 20 kuaj shtesë, BMW konfirmon se do të sjellë një tjetër surprizë për vitin 2026: një paketë të re performance, të fokusuar në përdorimin në pistë, por të lejuar edhe në rrugë.
Kjo paketë e re po zhvillohet nga BMW M Performance Parts dhe synon t’i çojë aftësitë dinamike të M2 në një tjetër nivel. Edhe pse makina testuese është parë e mbështjellë me kamuflazh të dendur, një detaj nuk mund të fshihej: krahu i pasmë, që ngrihet lart nga kapaku i bagazhit, duke dhënë sinjale të qarta për qëllimin agresiv të kësaj pakete, shkruan Car and Driver, transmeton AutoPortali.
BMW nuk ka zbuluar ende specifika të plota, por pritshmëritë janë të mëdha. Me shumë gjasë, paketa do të përfshijë modifikime në shasi, frenim më të fuqishëm me disqe karboni, elementë aerodinamikë të avancuar dhe ndoshta edhe disa kuaj fuqi shtesë të nxjerra nga motori 3.0 litërsh me gjashtë cilindra dhe dy turbo.

Ende nuk dihet nëse kjo paketë do të ofrohet si një opsion gjatë porosisë së makinës apo do të mund të instalohet më vonë në makinat ekzistuese. Megjithatë, një gjë është e qartë: entuziastët nuk do të duhet të presin gjatë, pasi lançimi zyrtar i paketës pritet të ndodhë në vitin 2026.
Me këtë lëvizje, BMW forcon më tej pozicionin e M2 si një coupe e vërtetë për entuziastët – me tre pedale, motor të fuqishëm dhe tani, edhe më shumë fokus në performancë pistash.



