BMW ka goditur sërish në treg me modelin më të ri sportiv, M2 CS. Edhe pse ky model i gjeneratës së dytë nuk është pritur me të njëjtin entuziazëm si modelet CS të së kaluarës, kërkesa për të ka qenë jashtëzakonisht e lartë.
Pa ndërrues manual dhe me disa kompromise në dizajn, përfshirë mungesën e kapakut të motorit prej fibrash karboni, BMW M2 CS ka befasuar vetë kompaninë me numrin e porosive. Arsyeja e eliminimit të transmisionit manual është fuqia më e lartë e motorit, e cila nuk përputhet me kapacitetin e kutisë manuale.
Në një deklaratë për BMW Blog shkruan AutoBlog, Sylvia Neubauer, nënkryetare për klientët, markën dhe shitjet në BMW M, konfirmoi se ka pasur “kërkesë të jashtëzakonshme” për këtë model. Si pasojë, BMW ka rritur numrin e njësive të planifikuara për prodhim.
SHBA-ja udhëheq me kërkesat, e ndjekur nga Gjermania dhe Kina, dy tregje të tjera ku interesi për këtë makinë është rritur ndjeshëm. Në total, BMW planifikon të prodhojë më pak se 2 mijë njësi, me qëllim ruajtjen e ekskluzivitetit të modelit, transmeton AutoPortali.
Më shumë fuqi, më pak peshë
BMW M2 CS e vitit 2026 është prezantuar në fund të majit dhe është pothuajse 45 kilogramë më e lehtë se versioni standard M2. Nën kofano ndodhet motori 3.0-litërsh me gjashtë cilindra dhe turbo, i cili prodhon 523 kuaj fuqi – një rritje prej 50 kuajsh krahasuar me versionin bazë. Çift rrotullimi arrin 650 Nm, duke i mundësuar kështu modelit që të përshpejtojë nga 0 në 100 km/h për vetëm 3.7 sekonda, me një shpejtësi maksimale prej 302 km/h.
Transmisioni është automatik me tetë shpejtësi, ndërsa për të përballuar fuqinë e shtuar, BMW ka bërë modifikime në pezullim, amortizatorë, sistemin e drejtimit dhe frenat. Frenat karboni-keramike janë në dispozicion si opsion.
Çmimi? I lartë, por pa ndikim në shitje
Çmimi bazë për këtë model në SHBA fillon nga 98,600 dollarë, dhe me shtesat dhe taksat, kap lehtësisht shifrën gjashtëshifrore. Megjithatë, as çmimi dhe as mungesa e manualit nuk e kanë penguar popullaritetin e BMW M2 CS, i cili po ecën në gjurmët e paraardhësit legjendar. /AutoPortali



