Pas eksperiencës në garat automobilistike, BMW po planifikon të integrojë materiale të përbëra nga fibra natyrore në prodhimin serik të makinave të saj.
Këto kompozita, të zhvilluara në bashkëpunim me kompaninë Bcomp dhe të bazuara në lëndë si liri (flax), janë përdorur fillimisht në makinën e garave Formula E të BMW në vitin 2019 dhe më pas në modelet M4 GT4 dhe M4 DTM.
Sipas BMW, zëvendësimi i fibrës së karbonit me kompozita natyrore mund të zvogëlojë emetimet e dioksidit të karbonit ekuivalent (CO2e) deri në 40%, sidomos në pjesë si çatia e makinës, transmeton AutoPortali.
Siç shkruan AutoWeek, kjo jo vetëm që ndihmon mjedisin, por gjithashtu shmang nevojën për riciklimin e fibrave të karbonit, të cilat janë diskutuar për t’u klasifikuar si materiale të rrezikshme nga Bashkimi Evropian, për shkak të grimcave të dëmshme që mund të lëshojnë në ajër.
Edhe pse nuk është bërë ende e qartë se cilat pjesë të makinës do të prodhohen nga ky material, pritet që panelet e çative të jenë ndër të parat që do të përfshihen.
Nuk është specifikuar se kur do të nisë zbatimi në prodhim, por BMW konfirmon se kjo teknologji është pjesë e planeve për makina më të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin në të ardhmen. /AutoPortali



