Brabus, kompania gjermane e njohur për modifikimet ekstreme të veturave Mercedes, ka prezantuar modelin më të fuqishëm ndonjëherë – një coupe katër-dyersh hibrid, i bazuar në Mercedes-AMG GT 63 S E-Performance.
Me një motor V8 të rritur në 4.5 litra dhe një motor elektrik prej 204 kuaj/fuqi, fuqia totale arrin në afro 1000 kuaj fuqi dhe 1820 Nm moment rrotullues, megjithatë, transmisioni 9-shpejtësish kufizohet në 1620 Nm, transmeton AutoPortali.
Performanca është mbresëlënëse: nga 0 në 100 km/h për vetëm 2.6 sekonda, dhe shpejtësi maksimale të kufizuar në 316 km/h. Pavarësisht se është hibrid plug-in, autonomia elektrike mbetet modeste, vetura mund të udhëtojë vetëm 12 kilometra duke përdorur vetëm motorin elektrik, për shkak të baterisë 6.1 kWh.
Modeli do të prodhohet në vetëm 25 njësi, me çmim fillestar prej 450 mijë euro. Një makinë për koleksionistët dhe entuziastët që kërkojnë luksin ekstrem të kombinuar me performancën brutale.



