Brunilda Gjura e ka fituar garën e parë në disiplinën auto sllallom me vetura elektrike.
Anëtarja e Kaçandolli RT deri te fitorja arriti me kohën 01:12.903 minuta.
“Duke marrë parasysh se unë kam përvojë me gara të tilla dhe kam rezultate të mira, sigurisht që sot kam ardhur për të fituar. Gjithsesi jam e kënaqur me garën dhe sidomos me faktin që me mua ishin edhe vajzat e reja me të cilat së bashku arritëm rezultate të mira si në aspektin personal, ashtu edhe për Auto Klubin Kaçandolli RT”, ka thënë Gjura pas fitores.
Bashkë me të, në podium u gjendën edhe Arjeta Rysha e AK Ferizaj dhe Eriona Cocaj e Kaçandolli RT.
Në garën e dytë patëm renditje tjetër. Fituesja ishte befasi, pasi bëhej fjalë për Leonara Krasniqin, e cila ishte debutuese në gara.
Ajo pati kohë prej 01:18,278 minuta. “Për mua ishte hera e parë që marr pjesë në gara dhe sigurisht që jam e lumtur për fitoren. Gjithçka ishte mire dhe pas kësaj përvoja, besoj se do të marr pjesë edhe në garat e ardhshme”, tha anëtarja e Kaçandolli RT.
Në pozitën e dytë u rendit Berna Kosova po ashtu e Kaçandolli RT, ndërsa e treta Arjeta Rysha e AK Ferizajt.