Butoni që po të vë në gjumë, ky funksion në veturë mund të të kushtojë jetën
B

Butoni që po të vë në gjumë, ky funksion në veturë mund të të kushtojë jetën

Shoferët rrezikojnë shëndetin e tyre duke harruar të çaktivizojnë një funksion të caktuar në veturë, që mund të shkaktojë përgjumje, sidomos gjatë qëndrimit në trafik.

Fjala është për butonin e qarkullimit të brendshëm të ajrit (recirculation), një opsion që gjendet në shumë vetura moderne dhe që zakonisht shënohet me një shigjetë të kthyer mbi veten, pranë simbolit të veturës.

Sipas The Sun, ky buton, që përdoret për të ricirkuluar ajrin brenda kabinës në vend që të thithë ajër nga jashtë, mund të jetë i dobishëm në disa raste – por vetëm për një kohë të kufizuar.

Në temperatura të larta, shumë shoferë aktivizojnë këtë opsion për ta ftohur më shpejt brendësinë e veturës dhe për të shmangur ndotjen apo aromat e këqija që vijnë nga jashtë, transmeton AutuPortali.

Në trafik të rënduar, sidomos pas një veture që lëshon tym, ky buton ndihmon për të shmangur thithjen e gazrave të dëmshëm dhe ndihmon kondicionerin që të punojë më pak, duke kursyer karburant.

Por sipas një studimi, ky funksion nuk duhet të mbahet i aktivizuar më shumë se 20 minuta. Nëse lihet për periudha më të gjata, ajri brenda veturës mbushet me dioksid karboni (CO₂) që lirohet përmes frymëmarrjes së pasagjerëve, duke zvogëluar përqindjen e oksigjenit në kabinë.

Ky çekuilibër mund të shkaktojë lodhje, dhimbje koke, mungesë përqendrimi dhe ngadalësim të reagimeve faktorë që rrisin rrezikun për aksidente.

Për udhëtime të gjata, veçanërisht kur në veturë ndodhen disa pasagjerë, ekspertët rekomandojnë që butoni i ricirkulimit të ajrit të fiket periodikisht për të mbajtur nivelin e CO₂ nën 2500 ppm.

Dr. Christabel Akinola ka paralajmëruar për rreziqet e këtij butoni përmes një postimi në Instagram: “Ky është një nga shkaktarët pse shoferët flenë në timon dhe nuk e kuptojnë pse – gjë që shpesh çon në aksidente. Ju lutem, para se të niseni me veturë dhe gjatë rrugës, kontrolloni nëse ky buton është i çaktivizuar, veçanërisht nëse keni fëmijë me vete.” /AutoPortali

TË FUNDIT