Cadillac ka shpenzuar rreth 20 milionë dollarë për prezantimin e skemës së ngjyrave të makinës së saj të Formula 1 në një reklamë të transmetuar gjatë pushimit të finales së Super Bowl. Këtë e konfirmoi drejtori ekzekutiv i ekipit, Dan Towriss, i cili tha se nuk ka shifra të sakta, por e pranoi se vlerësimi është i përafërt.
Makina e parë e Cadillac në historinë e Formula 1 mori pjesë në një “shakedown” para-sezonal në Barcelonë me një ngjyrim të veçantë. Qëllimi ishte arritja e një audience sa më të madhe, veçanërisht në tregun amerikan, për të prezantuar dizajnin e ri dhe për të rritur ndërgjegjësimin për projektin në F1.
Reklama njëminutëshe përfshinte një fragment nga fjalimi i vitit 1962 i presidentit amerikan John F. Kennedy, “Ne zgjedhim të shkojmë në Hënë”, ndërsa pamjet tregonin përgatitjet e Cadillac me mesazhin: “Misioni fillon”.
Në timonin e makinës janë Sergio Pérez dhe Valtteri Bottas.
Përveç shumës së madhe për reklamën, General Motors po investon seriozisht në ekipin e saj të F1, me disa baza në SHBA dhe në Silverstone të Anglisë. Megjithatë, pavarësisht kufizimeve të buxhetit në F1, Towriss pret që ekipi të operojë me humbje në vitet 2026 dhe 2027, duke theksuar se do të duhen disa vite para se projekti të bëhet fitimprurës.



