Sezoni 2025 i Formulas 1 po i afrohet fundit, ndërsa kanë mbetur vetëm tri garat e fundit (Las Vegasi, Katari dhe Abu Dabi). Aktualisht, Lando Norris është qartësisht kandidati numër një për t’u shpallur kampion. Britaniku i McLarenit kryeson me 24 pikë ndaj shokut të skuadrës, Oscar Piastri, ndërsa ndaj të frikshmit Max Verstappen ka një avantazh edhe më të madh, plot 49 pikë.
Dy fitoret e fundit të Norrisit në Meksikë dhe Brazil e kanë vendosur atë në një pozitë të privilegjuar. Duke gjykuar nga forma e tij, është e dukshme se, nëse talenti nga Bristoli shmang gabimet e rënda, ky mund të jetë viti i kurorëzimit të tij. Pikërisht për këtë arsye, akuza e ashpër e Zak Brown ndaj pilotit që rrezikon t’i heqë lavdinë McLarenit duket e tepruar. CEO i skuadrës së “papaya” ka folur hapur në një intervistë për “The Telegraph”, ku shigjetat e tij helmuese janë drejtuar ndaj yllit të padiskutueshëm të Red Bullit.

“Nuk dua ta nënvlerësoj Max-in, sepse është katër herë kampion bote, por në pistë mund të jetë tepër agresiv, një lloj ngacmuesi. Atëherë del në sipërfaqe arroganca e tij. Nëse shohim disa nga kampionët më të mëdhenj të F1, edhe ata kanë pasur pak arrogancë. Ata hapin bërrylat. Por Verstappen e ka kaluar kufirin në disa momente në pistë. Në Brazil kundër Hamiltonit, për shembull. Disa nga manovrat e tij për parakalim ndaj Lewisit ishin tepër agresive”, deklaron drejtuesi i McLarenit.



