Çfarë do t’i mungojë Kalle Rovanperas pas largimit nga WRC?
Ç

Çfarë do t’i mungojë Kalle Rovanperas pas largimit nga WRC?

Dy herë kampioni i botës, Kalle Rovanpera, e ka mbyllur kapitullin e tij rekord në Kampionatin Botëror të Rally-t për t’u kaluar garave me një vend të vetëm, me synimin e madh: Formula 1.

25-vjeçari përjetoi një fund të hidhur të sezonit, duke përfunduar i shtati në Rally Arabinë Saudite pas disa shpimeve gomash, gjë që i largoi shpresat e pakta për titullin e tretë. Ai e mbylli kampionatin i treti, pas Sebastien Ogier dhe Elfyn Evans.

Rovanpera, i cili gjatë pesë viteve e gjysmë në WRC thyen rekorde historike, duke u bërë fituesi dhe kampioni më i ri i të gjitha kohërave u shpreh se pjesa më e vështirë e largimit ishte ndarja nga njerëzit me të cilët ka punuar gjatë gjithë karrierës.

Ai tha se rally do të mbetet gjithmonë pranë zemrës së tij, por tani është gati për sfidën më të madhe të jetës: një karrierë në garat e formulave. Hapi i parë do të jetë Super Formula në Japoni, ku ai do të testojë në dhjetor, e më pas Formula Regional Oceania në Zelandën e Re në janar.

Rovanpera e pranon se për herë të parë në karrierë do të jetë “i nënvlerësuari”, duke filluar nga zero në një disiplinë që nuk i vjen natyrshëm si rally. Por ai thotë se është i vendosur dhe krenar që guxon të provojë diçka krejtësisht të re, pavarësisht rreziqeve.

TË FUNDIT