Piloti amerikan Kyle Larson është shpallur kampion i NASCAR Cup Series 2025, pas një gare dramatike përmbyllëse në Phoenix. Larson, në Chevrolet-in #5, fitoi titullin e dytë në karrierë, duke lënë pas rivalin Denny Hamlin, i cili humbi shansin për titull vetëm disa xhiro para fundit.
Tri xhiro para përfundimit, William Byron shpërtheu gomën dhe u përplas me murin, duke shkaktuar flamurin e verdhë dhe një rifillim dramatik të garës. Hamlin vendosi të ndalonte për katër goma të reja, ndërsa Larson zgjodhi vetëm dy, strategji që i dha avantazhin.
Në sprintin e fundit me dy xhiro, Larson arriti të përfundonte i treti, mjaftueshëm për të siguruar kampionatin, ndërsa Hamlin u rendit i gjashti. Fitues i garës ishte Ryan Blaney, i cili ishte eliminuar më herët nga gara për titull.
“Nuk mund ta besoj. Nuk udhëhoqa asnjë xhiro dhe megjithatë fituam kampionatin”, tha Larson i emocionuar.
Ndërkohë, Hamlin, që kishte dominuar 208 nga 319 xhirot dhe e nisi nga pol pozicioni, mbeti pa titull për të gjashtën herë në karrierën e tij.
“Kështu është ky sport. Lutja ime ishte të mos kishte flamur të verdhë, por ndodhi. Thjesht nuk ishte e shkruar”, u shpreh ai i zhgënjyer.
Kjo është titulli i dytë kampion për Larson pas suksesit të parë në vitin 2021 me ekipin Hendrick Motorsports.


                                    

